Persona të dyshimit kanë hyrë në objektin e shkollës së mesme të mjekësisë në Pejë, duke vjedhur 19 ditarë në të cilët mbahen evidencat e notave të nxënësve.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
“Policia rreth orës 7 të mëngjesit ka marrë informatën se në rrugën “Esat Mekuli” në Pejë në shkollën e mesme të mjekësisë ka ndodhur një rast vjedhje. Njësitet relevante kanë shkuar në vend ngjarje dhe kanë biseduar me ankuesin”, ka thënë Ibraj.
Ibraj më tej ka treguar se personat e dyshimtë kanë hyrë brenda duke thyer xhamat e dritareve të banjës duke e pastaj kanë thyer edhe derën e blinduar të zyrës së drejtorit.
“Kanë vjedhur 19 ditarë ku mbahen evidencat e notave të të gjithë nxënësve të kësaj shkolle. Diçka tjetër nuk është vërejtur se ka munguar. Sipas drejtorit dera ka qenë e mbyllur që nga data 17 mars”, u shpreh Ibraj.
Ai më tej ka theksuar se personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar dhe janë ende në kërkim nga policia .