Vidhen 15 milionë dollarë nga një aeroport në Kili

Disa hajdutë kanë vjedhur më shumë se 15 milionë dollarë nga një kamion i blinduar në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin e Kilit, Santiago, bëri të ditur policia e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e policisë theksuan se një grup i armatosur prej 7 deri në 10 hajdutë të hënën i zunë pritë kamionit në zonën e ngarkesave në Aeroportin Ndërkombëtar “Arturo Merino Benítez” në Santiago.

Ata arritën të shpëtojnë me 14 milionë dollarë dhe 1 milion euro para të gatshme, duke e bërë një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e Kilit.

Hector Espinosa, një zyrtar i lartë i policisë hetimore të Kilit, tha se ishte një grabitje “e planifikuar mirë” nga një grup “profesional”.

Duke folur para gazetarëve pas takimit me ministrin e Brendshëm të Kilit, Espinosa theksoi se hyrja në aeroport nuk ishte një detyrë e lehtë.

“Ekzistojnë masa të duhura sigurie, por ata arritën t’i kapërcejnë të gjitha. Kjo është diçka për të cilën ne shqetësohemi”, tha Espinosa.

Ai shtoi se të gjitha resurset janë duke u përdorur për hetimin dhe kriminelët do të kapen “sa më shpejtë të jetë e mundur”.