Vezët “Made in Kosova” shpëtojnë qytetarët

Skandalit për vezët e infektuara me insekticidin e dëmshëm “fipronil”, në Bashkimit Evropian, duket se i ka shpëtuar Kosova. Krejt kjo falë prodhimit të mjaftueshëm të vezëve “Made in Kosova”.

Së paku kështu thonë përgjegjësit për cilësinë e ushqimit. “Nuk ka pasur import të vezëve nga vendet e Bashkimit Evropian, kështu që përjashtohet mundësia që ne të jemi të prekur me problemet që kanë lindur atje”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaçi për Gazetën Fjala.

Sipas tij, tregu mbulohet nga prodhimi vendës, pasi që vitet e fundit janë rritur kapacitet e fermave të pulave.

Mirëpo, edhe pse janë rritur kapacitetet prodhuese, Kosovës nuk i mungon importi në sasi të vogla nga vendet e rajoni. “Ne importojmë në sasi të vogla nga vendet përreth nga Shqipëria dhe Maqedonia”, ka thënë Thaçi.

Ai për media kishte thënë se të gjitha këto vezë që importohen u nënshtrohen kontrolleve dhe kanë vulë.

E nëse gjenden ne treg produkte të tilla të pa vulosura, sipas tij ato janë ilegale.

Ndërsa sa i përket importit nga vendet e Bashkimit Evropian, sipas Thaçit, kjo nuk ka ndodhur për shkak se çmimi i vezëve në këto vende është më i lartë sesa i vendeve fqinje dhe i prodhimeve vendore.

Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës, Kosova prej vitit 2016 e deri më tani ka importuar mbi 8 milionë vezë nga vendet përreth. “Sasia e vezëve të importuara në Kosovë prej vitit 2016 e deri tash është 8,591,387.54 vezë”, ka thënë zëdhënësi i këtij institucioni Adriatik Stavileci për Gazetën Fjala.

Vetëm nga Shqipëria për këtë periudhë janë importuar 7 milionë e 794 mijë vezë.

Ndërsa vende të tjera prej nga janë futur vezë në Kosovë janë Maqedonia, Italia, Serbia dhe Bullgaria.

Në bazë të statistikave që ka siguruar Gazeta Fjala, del se vezët që janë importuar më shumë janë “Vezët e freskëta, prej pulave të llojeve Gallus domesticus (E0037)”.

Lloje të tjera të vezëve të importuara janë edhe vezët e ruajtura dhe vezët e fertilizuara për inkubim të shpendëve të tjera.

Kryetari i Shoqatës së Shpezëve të Kosovës, Sabit Rama ka thënë për Gazetën Fjala, se Kosova ka më së paku nevojë për import të vezëve. “Ne e mbulojmë mbi 98 për qind të territorit të Kosovës me vezë, prandaj nuk kemi nevojë për import nga vendet e tjera”.

Ndërkaq, vezët që konsumohen më së shumti në Kosovë janë vezët e kuqe.

Sa i përket cilësisë, Rama ka thënë se ato janë sipas standardeve dhe ka shtuar se nuk ka pasur asnjë rast të raportuar për ndonjë infektim të vezëve. “Vezët që prodhohen në Kosovë janë ditore, dhe janë mjaft cilësore. Nuk kemi pasur asnjë rast për ndonjë vezë të infektuar”, ka thënë Rama.

Ai thotë se Shoqata e Shpezëve të Kosovës ka bërë kërkesë për ndalje të menjëhershme të importit nga vendet e tjera.

I vetmi që alarmon për rrezikun nga vezët e infektuara nga vendet e BE-së është kryetari i i organizatës për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. “Institucionet dhe mekanizmat e Shtetit të Kosovës sikur e kanë futur kokën në rërë – si struci, pasi që nuk po e shohin rrezikun që u kanoset nga disa korporata të mëdha prodhuese, tregtuese e shërbyese në shtetet e BE-së”.

Sipas Kaçanikut, Kosova edhe mund të bie pre e këtyre korporatave, pasi që produktet që ata prodhojnë janë cilësore deri në atë masë sa një shtet mund të identifikojë. “Ato prodhojnë aq cilësi sa një shtet është në gjendje ta konstatojë, ta gjurmojë, ta identifikojë laboratorikisht”, ka thënë Kaçaniku për Gazetën Fjala.

Ai ka shtuar se ka vend për shqetësime dhe ka akuzuar Institucionet e mekanizmat e shtetit se po u “nënshtrohen lobit të bizneseve të ndryshme duke abuzuar me ligje e me të drejtat e qytetarit konsumator, e në disa raste edhe duke i rrezikuar”.

Edhe pse Kosova prodhon një sasi të konsiderueshme të vezëve të konsumit, Kaçaniku thotë se duhet punuar për përmirësim të standardeve dhe kritereve, si dhe akuzon institucionet se kanë filluar ta zbatojnë Ligjin për vezët me vonesë. “Për ti plotësuar kriteret e standardet akoma duhet punuar. Institucionet e mekanizmat e Shtetit i kanë ndihmuar gabimisht këtij sektori. Ligjin për vezët kanë filluar ta zbatojnë me 8 vite vonesë”.

Ndryshe, vendet në të cilat vezët janë infektuar me “fipronil”, janë: Holanda, Gjermania, Belgjika, Zvicra, Britania e Madhe, Franca dhe Suedia.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se “fipronil” në sasi të madhe është “mesatarisht helmues” për njerëzit, pasi që mund të jetë i rrezikshëm për veshkë, mëlçi dhe gjëndrat tiroide.