Vetura e zgjuar nuk di të vet-parkohet

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë shoferin e një veture duke dalë nga automjeti, të cilën e lë të vet-parkohet.

Në fillim gjithçka duket se shkonte mirë pasi që vetura kishte hapësirë të mjaftueshme për tu parkuar.

Automjeti fillon të manovrojë, duke lëvizur përpara dhe prapa disa herë. Në fund, automjeti nuk arriti të zërë një vend bosh dhe në vend që të vazhdojë, SUV-ja papritmas ndalon manovrën dhe kthehet në rrugë në trafik. Kush e di, ndoshta ai filloi të kërkojë një vend të ri parkimi.

Më pas në video shfaqet pronari që vrapon pas automobilit për të rimarrë kontrollin e automjetit dhe për të shmangur një aksident të mundshëm.

SUV kinez Li L9 është i pajisur me një sistem drejtimi autonom të bazuar në dy çipa Nvidia Orin-X dhe një numër të madh sensorësh, duke përfshirë disa lidarë dhe kamera me rezolucion të lartë, dhe promovohet në vendin e tij si një SUV inteligjent.

Në këtë rast, ai nuk ishte i zgjuar sa mendohet.