Vetëvendosje sot pritet të mbajë provën për protestë

Lëvizja Vetëvendosje sot pritet të bëjë një tjetër provë proteste në sheshet e Prishtinës.

Ky aktivitet vie në kohën kur më së largu , deri të premten, pritet që Gjykata Kushtetuese të interpretojë ligjshmërinë e dekretit të presidentit për mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Në një përgjigje për Klan Kosovën, sipas Zyrtarit të Vetëvendosjes Arlind Manxhuka, kësaj here në këtë organizim pritet të mblidhen deri në pesë mijë persona.

”Kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”.

Zyrtari për media nga Vetëvendosje thekson që lidhur me këtë aktivitet në sheshin e Prishtinës, qëndrojnë korrekt ndaj rregullave e udhëzimeve sa i përket situatës në kohë pandemie, njofton Klan Kosova.

”Në këtë mënyrë për të qenë korrekt dhe përbrenda rregullave e udhëzimeve me organet e rendit ne kemi dorëzuar edhe njoftimin te ta”.

“Kjo provë për protestë është paraparë nga ora 17:00 deri në orën 19:00, derisa, në një letër që është publikuar në media thuhet se pjesëmarrësit do të realizojnë një ‘performancë’ në sheshet ”Skënderbeu”, ”Ibrahim Rugova” dhe ”Adem Jashari”.

Ndërsa nga Policia e Kosovës ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar për performancën e paraparë për të enjten pasdite

Në një përgjigje për Klan Kosovën, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, thonë se ky institucion i sigurisë e njeh të drejtën e qytetarëve për fjalën e lirë në tubime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

”Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.

Si e tillë kjo performancë sipas autoriteteve të vendit mund të mbahet meqë paraprakisht është njoftuar nga organizatori, njofton Klan Kosova.

”Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”.