ëvizja Vetëvendosje do që seanca e jashtëzakonshme për Astrit Deharin të mbahet sipas thirrjes së shoqërisë civile përmes peticionit e jo nga iniciativa e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Ndërsa, partitë e tjera opozitare do ta mbështesin një seancë të tillë, pavarësisht nga kush thirret, ani pse e shohin të pavend iniciativën e kreut të Kuvendit kur ekzistojnë nënshkrimet e qytetarëve.
Në mesin e këtij muaji grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do të iniciojë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.
Këtë zotim e ka dhënë kryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ani pse opozita, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje, ka dy javë që po e kërkon një seancë të tillë. Madje në seancën e së mërkurës pati përplasje të ashpër mes Kadri Veselit e deputetëve të Vetëvendosjes rreth debatit për këtë vdekje, shkruan gazeta “Zëri“.
Derisa Vetëvendosja kërkoi futjen në rend dite të seancës së jashtëzakonshme, kreu i legjislativit Kadri Veseli hodhi në votim kërkesën e subjektit opozitar, e cila mori vetëm 26 vota që nuk mjaftuan për debat.
Mirëpo, kreu i PDK-së dhe i Kuvendit bëri me dije se një seancë të jashtëzakonshme do ta kërkojë grupi parlamentar i partisë së tij.
“Më 14 dhjetor grupi parlamentar i PDK-së do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për rastin ‘Dehari’, në mënyrë që të dihet e vërteta, cilado qoftë ajo”, ka theksuar kreu i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli.