Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje publikimin e disa dëshmive që lidhen me dyshimet se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, ka kryer tortura dhe dhunë ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
“Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Sipas VV-së, është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm.
“Tash edhe një ministër dyshohet të jetë i tillë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte”, thuhet në komunikatë.
“Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje”.
VV thotë se “në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet”.
“Pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.