Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që t’i zgjerojë hetimet edhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Kërkesa për zgjerim të hetimeve është bërë vetëm një ditë pasi Prokuroria e Shtetit nisi hetimet ndaj Adem Grabovcit, protagonisti kryesor i bisedave të përgjuara, të cilat po publikohen nga portali “Insajderi”.
Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se përgjimet dëshmojnë për një rrjet të organizuar kriminal.
“Këtu qartazi kemi të bëjmë me një skemë të organizuar, me një rrjet të organizuar dhe pjesëmarrje në një rrjet të organizuar të krimit. Në këtë krim të organizuar qartazi vërehet nga përgjimet që Adem Grabovci është personi kryesor ekzekutiv, por jo edhe urdhërdhënës. Drejtues dhe udhëheqës të këtij grupi kriminal qartazi janë Kadri Veseli e Hashim Thaçi”, ka thënë Ymeri.