Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një konferencë të përbashkët për media me deputetin e VV-së, Enver Dugolli ka folur për çështjen e shujtave për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, teksa ka thënë se ka sulme ndaj Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas tij, e gjithë kjo çështje është propagandë, e shpifje.
Bajqinovci e ka akuzuar kompaninë “Beni Dona” se dëshiron të ketë monopol.
“Sulmet e udhëhequra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes janë propagandë e shpifur, e vërteta është kjo Ministria e Mbrojtjes nuk i ka dhënë kontratën kompanisë ‘Beni Dona’, kompani që për 15 vjet ka pasur monopol. Ministria e Mbrojtjes nuk ka shpallur tender sekret por ka shpallur kontratë emergjente. Në vitin 2023 në ministria shpall tenderin për kontratë të rregullt. Kompania në fjalë ka bërë ankesë në OSHP duke dashur të ketë monopol. Për këto kontrata emergjente asnjë opozitar nuk ka folur. Furnizimi me produkte është siguruar nga AQP-ja dhe nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ngecje. Ky proces pritet të përfundojë brenda 60 ditëve kalendarikë që nga shpallja e konkursit. Nuk do të ketë më kthim mbrapa me tender”, ka thënë ai.