Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Deçan u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi.
“Logjika që të falim tokë për secilin nga proceset nëpër të cilët do të kaloj Kosova është justifikim i rrejshëm dhe i rrezikshëm. Deputetët, para se t’i mendoni privilegjet individuale duhet t’a kujtoni gjakun e derdhur për Lirinë dhe Shtetin e Kosovës, andaj as Ju dhe askush tjetër s’ka të drejt të votoj faljen e tokës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Ata i kanë paralajmëruar deputetët se historia nuk do t’i harrojë votat e tyre.
„Të nderuar Deputet, shumë prej jush duke qenë dikur ushtar të UÇK-së, përpara se të votoni duhet t’a kujtoni betimin e Adem Jasharit, Luan Haradinajt, Zahir Pajazitit dhe të të gjithë Dëshmorëve të Kosovës, shumë prej të cilëve at kufi e lanë me gjakun e tyre. Vihuni në anën e historisë dhe drejtësisë dhe më 1 Shtator thuani JO faljes së tokave të Kosovës.Kosova nuk do t’ju harroj qoftë për të mirë, qoftë për të keq”, përfundon komunikata e veteranëve të Deçanit.