Papunësia vazhdon të mbetet fenomen shqetësues për shoqërinë, kurse sfidë për institucionet e Kosovës.
Sipas shifrave zyrtare, tregu i punës në Kosovë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë krahasuar me vendet e tjera.
Këtë e dëshmojnë edhe shifrat e punëkërkuesve në mbarë Kosovën.
Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti afro 130 mijë persona kanë kërkuar që hallet e tyre për punësim t’ua zgjidhin zyrat e punësimit. Ndërsa për gjithë vitin e kaluar numri I punëkërkuesve arrinte shifrat e 150 mijë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rreth 299 persona të cilët kanë të kryer shkollimin e masterin po kërkojnë punë. 2 të tjerë kanë të përfunduar doktoratën, si dhe me universitet janë 6 mijë e 452 persona të cilët janë të aftë për punë.
Ndryshe, sipas rezultateve të anketës së fuqisë punëtore për vitin 2015, publikuar në muajin qershor të këtij viti, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se dy të tretat e popullsisë së Kosovës nga 15 deri në 64 vjeç, është në moshë pune, por rreth 150 mijë persona të kësaj moshe vitin e kaluar kanë qenë të papunë.
Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë thuhet se është 32.9 për qind, kurse sipas shifrave të përfaqësuesve të punëtorëve, thuhet se niveli i papunësisë është 45 për qind.