Vetëm 5 për qind e qytetarëve në Kosovë, të testuar për COVID-19

Të dhënat e testimeve për COVID-19 institucionet e Kosovës ende nuk i kanë shfrytëzuar për hulumtim dhe për zhvillim të politikave në shërbim të menaxhimit të pandemisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se këto të dhëna do të përdoren në të ardhmen për hulumtime apo studime.

Nga 1.8 milionë banorë sa ka Kosova, që nga muaji shkurt me metodën PCR për Covid-19 janë testuar 73 mijë e 340 persona, apo rreth 4% e popullsisë. Prej tyre, rreth 3 mijë teste janë kryer në laboratorë privatë.

Pozitivë kanë rezultuar 16 mijë e 050, apo 22 për qind e të testuarve.

Teste serologjike janë realizuar 20 mijë, në laboratorë privatë dhe në qendra të testimeve nëpër komuna. Ministria e Shëndetësisë nuk ka ofruar të dhëna për rezultatet, por në bazë të informatave që ka siguruar Koha, në disa laboratorë privatë nëpër Kosovë, pozitivë kanë dalë prej 20 deri në 25 për qind të të testuarve.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka marrë të dhënat që Instituti i Shëndetit Publik ka mbledhur nga laboratorët privatë, por nuk ka treguar për përqindjen e rasteve pozitive.

“Procesi i testimeve serologjike dhe PCR monitorohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Testimet serologjike të cilat kryhen ne laboratorë private dërgohen si raporte të IKSHPK, i cili i kolekton të dhënat dhe natyrisht ato do të shërbejnë për qëllime të hulumtimeve apo të studimeve të ndryshme”, ka thënë Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, para katër muajsh ka paralajmëruar strategji të re të testimeve në masë, por deri më tani me teste PCR dhe serologjike në institucione publike dhe private janë testuar rreth 5 për qind e popullatës.

Testimi në masë ka rezultuar i suksesshëm në vendet perëndimore për orientim politikash. Qysh në fillim të pandemisë, Gjermania ndoqi strategjinë e testimeve dhe të analizave të të dhënave me qëllim të kontrollimit të përhapjes së virusit dhe shmangies së mbipopullimit të spitaleve.

IKSHPK-ja, që nga e marta nuk ka kthyer përgjigje se si i ka shfrytëzuar të dhënat e nxjerra nga testimet që ka kryer vetë, por edhe ato të laboratorëve privatë.

Ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka nisur testimet serologjike para tre muajsh dhe ende nuk e ka kryer hulumtimin e paralajmëruar.

Komuna e Gjakovës ka filluar me testimin e qytetarëve përmes kësaj metode në fillim të muajit shtator.

“Deri tani janë testuar 2 mijë e 200 persona, prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 496 persona që me përqindje i bien 22.8%. Situata është nën kontroll të vazhdueshme dhe e menaxhueshme për momentin edhe pse pas fillimit të shkollave ka fillu një rritje e ndjeshme e rasteve me Covid”, ka thënë Afërdita Spahiu-Shllaku, drejtoreshë e Shëndetësisë në Gjakovë.

Më 18 gusht, ministri i Shëndetësisë nënshkroi udhëzimin administrativ që u lejonte komunave të kryenin teste serologjike dhe PCR. Deri tash këtë e kanë bërë vetëm Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës. Ministria ka licencuar edhe mbi 100 laboratorë privatë për testime serologjike.