Vetëm 25% e tuneleve të Hamasit në Gaza janë shkatërruar, raportojnë mediat izraelite

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë shkatërruar vetëm rreth 25 për qind të rrjetit të tuneleve të Hamasit në Rripin e Gazës, sipas burimeve të sigurisë të cituara nga kanali izraelit N12 dhe gazeta The Jerusalem Post. Kjo do të thotë se rreth 75 për qind e infrastrukturës nëntokësore të Hamasit mbetet ende funksionale.

Raporti thekson gjithashtu se një numër i madh i tuneleve që lidhin Gazën me Egjiptin janë ende aktivë, përkundër përpjekjeve të përsëritura për t’i çmontuar ato. Këto tunele janë përdorur prej vitesh për të kontrabanduar mallra, armë dhe persona.

Një ndër çështjet më të diskutueshme mbetet kontrolli i të ashtuquajturit “Korridori i Filadelfisë”, një zonë strategjike përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit. Izraeli ka refuzuar të tërhiqet nga kjo zonë, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe kundërshtimeve nga ana egjiptiane.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një konference në muajin shkurt, deklaroi: “Me sytë e mi kam parë disa tunele që kalonin në Egjipt; disa ishin mbyllur, ndërsa disa të tjerë ishin të hapur.”

Zbulimet e fundit kanë rikthyer në vëmendje pyetjet për efektivitetin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, si dhe për vështirësitë që lidhen me eliminimin e plotë të rrjetit të ndërlikuar nëntokësor të Hamasit.