Vetëm 2 për qind e të rinjve amerikanë e lexojnë gazetën në baza të rregullta ditore, ka treguar një hulumtin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu AgencY (AA).
Hulumtimi i kryer nga Universiteti i San Diegos ka treguar po ashtu se një e treta e pjesëmarrësve nuk kanë lexuar asnjë libër brenda një viti të fundit.
Një hulumtim i ngjashëm në vitet 90-të nga universiteti i njëjtë kishte treguar se një e treta e të rinjve lexonin gazeta rregullisht, ndërkohë që kjo shifër ka rënë në 2 për qind në vitin 2016.
Siç thuhet, mbi një milion të rinj kanë marrë pjesë në hulumtimin e universitetit.
Duke folur për këtë rënie, akademikët që e kanë realizuar hulumtimin thonë se nuk duhen shpërfillur aktivitetet e të rinjve në internet.
“Mesatarisht, një nxënës i shkollës së mesme në vitin 2016 kalonte gjashtë orë duke përdorur rrjetet sociale, duke komunikuar online, duke luajtur lojëra ose duke kërkuar në internet. Ky numër është thuajse dyfishi i normës së leximit te të rinjtë në vitet 90-të”, theksuan hulumtuesit.
Në hulumtim gjithashtu thuhet se në vitet 70-të, 60 për qind e nxënësve të vitit të fundit të shkollave të mesme lexonin gazeta dhe revista në baza ditore.
Hulumtimi ka treguar se rënie ka pësuar edhe koha e shikuarjes televizor te të rinjtë.
Në vitet 90-të, 22 për qind e nxënësve të shkollave të mesme kanë kaluar pesë apo më shumë orë para televizorit, ndërkohë që në vitin 2016 vetëm 10 për qind prej tyre kanë kaluar më shumë se pesë orë duke shikuar televizor.