Ballina Artikuj Vështrim në një ngjarje, që nxit rivlerësimin e leximit të jetës së...

Vështrim në një ngjarje, që nxit rivlerësimin e leximit të jetës së Pejgamberit a.s.

Muhamed B Sytari

Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi një të dërguar që atyre t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” (Ali Imran, 164)
Më 10 shevval, të vitit 8 hixhri, në luginën e Hunejnit, në mes Taifit dhe Mekës, ndodhi përballja e myslimanëve me dy fiset arabe, Thekif dhe Hevazin. 12 mijë myslimanë, nga myslimanët e rinj mekas, me rreth 30 mijë nga kundërshtarët.
Ibën Hishami tregon nga Ebu Said el Kuduriu se: “Kur Resulullahu a.s. u shpërndau kurejshëve dhe fiseve arabe, aq sa u shpërndau nga plaçkat e betejës së Hunejnit, ndërkohë që ensarëve nuk u dha asgjë prej tyre, disa nga banorët e lagjeve ensarite u ngushtuan disi në vetvete. Disa prej tyre e shprehën këtë me fjalë jo të mira, derisa, dikush prej tyre tha: “Resulullahu a.s. i dha popullit të vet!”
Pas kësaj, sahabiu Sad ibni Ubade r.a., shkoi te Resulullahu a.s. dhe i tha: “Ja Resulullah, kjo lagje ensarite janë ngushtuar disi prej teje, për shkak të veprimit tënd me plaçkën e betejës. I dhe popullit tënd dhe fiseve arabe dhe nuk u dhe atyre asgjë!” Ia ktheu a.s.: “Po ti, o Sad, ku qëndron në tërë këtë mes?” Sadi i tha: “Ja Resulullah, unë jam pjesë e popullit tim!” Ai a.s. tha:
“M’i mblidh popullin tënd në këtë stan!” Aty erdhën edhe disa muhaxhirë, që i lejoi, ndërsa disa të tjerë i ktheu pas. Ndërkohë, kur u tubuan banorët e lagjes ensarite, Sadi r.a. e lajmëroi të Dërguarin a.s.. Resulullahu a.s. doli në mes tyre, e falënderoi Allahun dhe e lartësoi me emrat e Tij të merituar, pastaj tha: “O ensarë, çfarë janë disa fjalë jo të mira prej jush dhe një kritikë që e patë të përshtatshme për mua në vetët tuaja? A nuk ju gjeta të devijuar, Allahu ju udhëzoi me mua! Ju gjeta të varfër, Allahu ju pasuroi me mua! Ju gjeta të armiqësuar, Allahu jua ngrohu zemrat me mua!” Thanë: “Pa dyshim, Allahu dhe i Dërguari i Tij janë bekim e mirësi për ne!” Tha a.s.: “A nuk më përgjigjeni, o ensarë?” Thanë: “Çfarë të përgjigjemi, ja Resulullah? Allahu dhe i Dërguari i Tij janë bekim e mirësi për ne!” Tha a.s.: “Pasha Allahun, po të doni, mund ta thoni, të vërtetën do ta thoni dhe do të miratoheni për të: Na erdhe i përgënjeshtruar, ne të vërtetuam (në thirrjen tënde)! I poshtëruar, ne të përkrahëm! I dëbuar, ne të strehuam! I varfër, ne të dhamë e të bëmë njërin prej nesh! A u mërzitët, o ensarë, për pak begati të kësaj bote, me të cilën ngroha zemrat e një populli që të bëhen myslimanë, ndërsa juve ju lashë në begatinë e Islamit tuaj! A nuk jeni razi, o ensarë, që njerëzit të shkojnë me dhentë dhe bagëtitë e tyre, ndërsa ju të ktheheni me Resulullahun në shtëpitë tuaja? Pasha Atë, që e ka shpirtin e Muhamedit në dorën e Tij, sikur të mos ishte Hixhreti, do të isha një njeri nga mesi i ensarëve. Dhe, nëse njerëzit do të ndiqnin një shteg, unë do të ndiqja shtegun e ensarëve. O Allah, mëshiroji ensarët, edhe bijtë e ensarëve, edhe bijtë e bijve të ensarëve!”
Njerëzit nisën të qanin, aq sa u lagën mjekrat e tyre dhe thanë: “Jemi razi me Resulullahun tonë!” Pastaj Resulullahu u largua dhe njerëzit u shpërndanë!”(1)
U ndala pak dhe mora frymë thellë. Është e mrekullueshme kjo pamje, ky rrëfim e kjo ngjarje, që duhet ta shkruajmë me shkronja të arta. Është e jashtëzakonshme urtësia, thjeshtësia, komunikimi i tejdukshëm dhe zemërgjerësia e Resulullahut tonë a.s. përballë shokëve të tij, edhe atyre, që për një moment e paragjykuan veprimin e tij të urtë e largpamës.
Kjo ngjarje me krejt detajet e saj, është në vetvete një shkollë besimi, tek e cila duhet të hyjmë, herë pas here, për të pyetur veten se ku qëndrojmë ne sot, me mësimet dhe thirrjen e Pejgamberit tonë a.s.?!
A jemi ne ensarë të sinqertë të Zotërisë së bijve të Ademit? A jemi përkrahës të traditave dhe udhëzimeve të tij, nëpërmjet të cilave na bëhet mburojë përballë sfidave të kohës; përballë injorancës, imoralitetit, ateizmit, abuzimit me shenjtëritë, tendencave përherë e më të pabesueshme të prishjes së familjes, fanatizmit të verbër gjithandej, cytjeve të egra e të pamëshirshme kundër tabanit e përqafimit tonë shekullor të këtij Islami madhështor, por jo vetëm?!
Është një mësim i jashtëzakonshëm, që na mëson se si të sillemi në mes vete, duke ruajtur ekuilibrin e vëllazërisë, miqësive të thella, dashamirësisë e solidaritetit në komunitet, duke mos lejuar assesi paragjykimin e ngutjen në gjykim, për t’u kthyer në gjyqtarë të rreptë të ndarjes e përçarjes së pamerituar, krijimit të dallgëve artificiale që përmbysin ça të gjejnë para, edhe prej anijeve të vjetra e të qëndrueshme me krejt ekuipazhin e tyre!? Është koha, që leximet e shumta nga jeta e të Dërguarit të Allahut, të na shërbejnë për të ndryshuar veten, duke u rritur me mësimet e Zotërisë sonë, me durim e vullnet të fortë!
Është koha, që t’i qasemi me shumë seriozitet e korrektësi thelbit të asaj që rëndomtë i themi: “Syneti i Pejgamberit a.s.”, për të kuptuar përherë e më shumë se “shembulli”, për të cilin bën fjalë Kurani famëlartë, teksa na tërheq vëmendjen për t’u lidhur përherë e më shumë me shëmbëlltyrën e Resulullahut tonë, nuk mund të jetë thjesht angazhimi, thuajse ekstrem, për të jashtmen dhe sipërfaqësoren, as tendenca për t’u izoluar nga shoqëria me pretekstin e fetarizmit, as krijimi i stereotipave të papranueshme në shoqëri, që shpesh ngjallin debate të panevojshme dhe shkaktojnë humbje energjie të pajustifikuar, për thuajse asgjë!?
Është koha, që teksa ndër ne, rikthehet Hana e bekuar e muajit Rebiul evel, të tërhiqemi përherë e më shumë nga dashuria e ndjerë dhe ndjesitë e dëshmuara, në hak të Zotërisë sonë, për ta dëshmuar me të madhe, përherë e më shumë në realitetet e përditshmërisë sonë se ne, vërtet jemi vëllezër të Pejgamberit a.s. dhe sahabëve të tij, në rrugëtimin tonë krejt të natyrshëm drejt të jetuarit me dinjitet, veshur me pelerinën e pasimit të arsyeshëm e plot pathos, të Dërguarit mëshirë e dhuruar.
Për fund, le të meditojmë për pak në ajetin 69 të sures El Muminune, ku Allahu i Ma dhëruar na tërheq vëmendjen: “apo mos nuk e njohin të dërguarin e vet (Muhamedin), prandaj ata e refuzojnë atë?”
Në tefsirin e tij të këtij ajeti, dr. Muhamed Ratib en Nabulsi pyet: “A nuk e keni mësuar akoma vlerën e pejgamberit tuaj? A nuk e keni mësuar moralin e tij? A nuk e keni më suar synetin e tij në jetë? A nuk e keni mësuar mirësjelljen e tij? … Krejt plotësia gjendet në qenien e tij, krejt besnikëria, krejt ndershmëria, krejt udhëzimi në rrugën e drejtë; krejt sinqeriteti, krejt vlerat, krejt mirësia dhe, akoma nuk e keni njohur? … Deveja kërkoi mbrojtjen e tij, guri i dha selam, trungu i hurmës u përmallua për të dhe ju akoma nuk e keni njohur?!”(2)
Koha është që të ndreqim sadopak rrëmujën e shkaktuar nga hutimi dhe keq leximi, keq shërbimi dhe keqinterpretimi i kësaj pasurie të paimagjinueshme të argumenteve që na afrojnë përherë e më shumë me shembullin e jetuar të gjurmëve konkrete të Resulullahut a.s., jo hijes së keqpërdorur të tyre!

__________________________
1. Ibën Hisham, “Es Siretun Nebevijje”, botimi i IV, Bejrut-Damask, 1999, vëll. i III, f. 112.
2. Dr. Muhamed Ratib en Nabulsi, Tefsirun Nabulsi, botimi i parë, 2016, Aman, Muesesetul-Fursan, vëll. 6, f. 49-50.

Muhamed B. Sytari

Exit mobile version