Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka siguruar qytetarët e Kosovës se ushtria e Kosovës do të bëhet brenda pak ditësh me vendim unanim në Kuvend.
Ai ka thënë se partnerët strategjik të Kosovës në krye me shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ndihmën për Kosovën dhe ushtrinë e saj e cila sipas Veseli do të jetë partnerja më e fuqishme në rajon për NATO-n.“Natyrisht se partnerët tanë kanë dëshirë se më e mira do të ishte konsensusi. Por nëse ne do të kemi konsensus do ta ndryshojmë Kushtetutën. Transformimi i FSK-së do të ndodhë në bazë të ligjit, sepse ka ndodhur edhe një keqkuptim. Përmes ligjit do të merr kompetencat e veta që i ka ushtarake dhe do të jetë forcë ushtarake ashtu siq e meritojmë si shtet i pavarur dghe sovran dhe do të jetë partnerja më profesionale jam shumë i sigurt, në regjion, për vendet e NATO-s. Dhe mos u bënë fare merak se nuk do të ftohet asnjë partneritet dhe të jeni të sigurt në këtë që po e them se shumë shpejt në Kuvend do të vjen nga Qeveria ligji dhe do ta votojmë unanimisht transformimin në forcë ushtarake të Kosovës”, ka thënë Veseli gjatë turit të tij të dëgjimit me studentë të profileve të ndryshme të agjensioneve shtetërore që studiojnë në Fakultetin e Sigurisë në Vushtrri.
Në këtë takim ku Veseli ka folur për të ardhmen e institucioneve të sigurisë dhe sundimit të ligjit si dhe reformat e nevojshme në këta sektorë, ai ka komentuar edhe rezolutën e fundit që ka nxjerr Kuvendi i Kosovës të enjten për arrestimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj e cila lidhet edhe me suspendimin e dialogut me Serbinë.“E kemi bërë një suspendim i cili nuk është kundër dialogut si proces. Përkundrazi, do të vazhdojmë dialogun me Serbinë për arsye se nuk duam luftë. Duam njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia përmes këtij procesi të dialogut dhe forcimin e sovranitetit tonë. Por nuk do të lejojmë që për shtetin tonë dhe qytetarët tanë, një shtet që nuk ka kurrfarë legjitimiteti që të përzihet në punët tona”, ka thënë Veseli.