Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në mbledhjen e kryesisë, ka bërë të ditur se të enjten do të vazhdohet me seancën e kaluar me pikat e mbetura të rendit të ditës nga seanca e kaluar.
Ai theksoi se nuk është caktuar ende seanca e re, pasi që, sipas tij, “dy kolegë të kryesisë nuk kanë marrë pjesë dhe nuk pati kuorum”.
Ndërkaq, duke iu referuar akuzës së Vetëvendosjes se është bërë presion ndaj deputetit Bislim Zogaj për të tërhequr nënshkrimin e tij nga kërkesa e GP të VV-së për seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin, Veseli tha se “nuk kemi bere presion te askush”.
“Dhembja njerëzore dhe tragjedia familjare na bën bashkë në vdekjen e Astrit Deharit por asnjë tendencë e politizimit. Ne duhet të kemi besim në institucionet tona dhe të presim përgjigjen e institucioneve. Ajo që ju siguroj është se të vërtetës do t’i shkojmë deri në fund. Nëse është nevoja të angazhojmë edhe ekspertë të jashtëm. Askush nuk do të mund të manipulojë as nga pozita e as nga opozita. Nuk është e ndershme me tragjedi të tilla të manipulohet politikisht. PDK do t’i shkojë deri në fund. Nuk do të lejojmë asnjë njollë e asnjë manipulim”, ka theksuar Veseli.