Veseli: S’ka më mure, s’do të ketë as Jug e Veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për rrëzimin e murit në veri dhe strukturën e re që do të ndërtohet në atë pjesë.

Veseli tha se më nuk do të ketë mure dhe platforma e re që do të ndërtohet do të jetë strukturë në nivelin zero që do shërbejë si shëtitore e hapësirë e gjelbëruar në pajtim të plotë me institucionet e Kosovës.

“Shqetësim për të gjithë qytetarët tonë kanë qenë veprimet e strukturave paralele, por muri nuk do të ketë më në Kosovë, do të ketë një projekt të ri, por në përputhje me institucionet e Kosovës dhe me lëvizjen e lirë të qytetarëve me struktura të gjelbëruara”, pohoi Veseli në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës.

“Në të dyja anët e sheshit do të ketë lëvizje. Mos të bini pre e provokimeve dhe abuzimeve politike. Nuk lejojmë mure dhe veprime ilegale”.

“S’kemi pasur asnjëherë qëllime provokues, për asnjë komunitet. Mitrovica do të jetë e bashkuar dhe nuk do të ketë më as Jug dhe Veri”.

Veseli foli edhe për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Ushtria e Kosovës është një realitet që do të ndodh shumë shpejt”, pohoi kryeparlamentari dhe kryetari i partisë më të madhe në vend.

“Është e pashmangshme që ushtria e Kosovës të ndodh, kemi partneritet të plotë për këtë çështje me bashkësinë ndërkombëtare. Por, ushtria do të jetë në shërbim të paqes regjionale dhe globale”.