Kryetari Veseli theksoi rëndësinë e Ferronikelit jo vetëm për Drenasin, por edhe për tërë Kosovën, sepse rritë mirëqenien e qindra punëtorëve, rritë eksportet e Kosovës dhe është dëshmi se Kosova mirëpret investitorët e huaj.
“Jemi të gjithë të lumtur se Ferronikeli është duke punuar me kapacitet të plotë dhe institucionet do t’i japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Jemi të lumtur po ashtu se Ferronikeli ka arritur të realizojë kapacitetin e planifikuar të prodhimit, por edhe do të përmirësojë çështjen ambientale duke instaluar dhe përmirësuar sistemin e filtrimit të ajrit. Për 6 muaj, Ferronikeli po shkonte drejt falimentimit, por përkrahja jonë ishte e plotë. Me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe me kryetarin Nexhat Demaku, të gjithë me përkushtim mbi baza ditore bëmë që të nis procesi i fillimit të punës së Ferronikelit”, theksoi Veseli.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se edhe pas 4 dhjetorit, komuna e Drenasit do t’i japë përkrahje të fuqishme Ferronikelit.
“Do të ofroj përkrahje të plotë për Ferronikelin, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin me komunitetin, por edhe për çështjet ambientale. Së shpejti presim të fillojë të implementohet edhe projekti për ngrohjen e qytetit të Drenasit me ujin e ngrohtë të Ferronikelit”, theksoi Lladrovci.
Realizimin e projektit të ngrohjes qendrore për qytetarët e Drenasit e konfirmoi edhe ministri Stavileci.
“Së shpejti do të fillojmë me realizimin e projektit të ngrohjes qendrore për Drenasin, me përkrahjen e Komisionit Evropian”, konfirmoi ministri Stavileci. /Lajmi.net/