Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka premtuar se do ta trefishojnë Fondin për Garantimin Kreditor, në mënyrë që sa më shumë ndërmarrës të mund të kenë qasje të drejtpërdrejtë në kapitalin e domosdoshëm për t’i zgjeruar bizneset e tyre dhe për të krijuar vende pune.
Gjithashtu, ai ka premtuar se do të trefishojnë edhe fondin për bizneset e vogla që të mund t’i mbështesin më shumë ndërmarrësit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Përfundimisht, ne do t’i themi mjaft varësisë prej importit. Ne blejmë tepër shumë produkte të huaja, duke i dërguar paratë tona jashtë vendit, duke krijuar vende pune në vende të tjera. Kësaj duhet t’i japim fund”, ka thënë Veseli.
I pari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do ta caktojnë si objektiv pesëfishimin e eksporteve në mënyrë që produktet e Kosovës të blihen nga e gjithë BE-ja dhe që paratë të vijnë këtu në Kosovë.
Ai ka thënë se fusha e dytë prioritare është bujqësia.
“Një nga tri familje në Kosovë mbështeten nga sektori i bujqësisë. Bujqësia është zemra e motorit tonë ekonomik dhe ne duhet ta mbrojmë atë, duhet ta rrisim atë. Duhet ta mbrojmë atë dhe kjo vlen veçanërisht tani pas fatkeqësive të fundit. Ne do ta jetësojmë një program nacional për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se fermerët tanë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe nuk do të lejojnë assesi që ata të jetojnë në frikë nga fatkeqësi të tilla.
“Ne i kemi rreth 100 mijë hektarë tokë të gatshme për t’u përdorur për veprimtari bujqësore sot dhe kam kënaqësinë të njoftoj se, së bashku, qeveria jonë do ta dyfishojë buxhetin për bujqësinë në 120 milionë euro në vit”, ka premtuar Veseli.