Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, është pritur në një takim të veçantë nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Kryeparlamentari Veseli dhe presidenti Nishani kanë biseduar për zhvillimet politike në vendet respektive dhe në mënyrë të veçantë, për fushat e bashkëpunimit midis institucioneve të të dyja shteteve.
Nishani ka vlerësuar të arriturat e shtetit të Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat.
Veseli dhe Nishani kanë vlerësuar se marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës tashmë kanë marrë një shtrirje të gjerë në shumë fusha, por ishte pajtim i përbashkët gjithashtu, se ka ende hapësirë në të cilën ky bashkëpunim do të gjej rritje.
“Kosova dhe Shqipëria janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet midis dy shteteve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke konfirmuar edhe njëherë perspektivën e përbashkët euro-atlantike të të dyja shteteve, së bashku me shtetet e tjera të rajonit.