Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pas rrëzimit të murit në pjesën veriore të Mitrovicës ka thënë se rrëzimi i murit në Mitrovicë është qëndrim yni se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj.
Sipas tij, ky nuk ishte një veprim për politika ditore, por një përkushtim i palëkundur se Kosova është një dhe si e tillë ofron mundësi për të gjithë qytetarët, pa dallim.
“Muret i takojnë të së kaluarës, ndërsa Kosova është e drejtuar kah e ardhmja”, ka thënë Veseli.
“Qëndrimi im, që nga dita e parë, ka qenë se s’do ta shfrytëzojmë murin për retorika nacionaliste, por se ai do të largohet për shkak të qytetarëve tanë në jug dhe në veri. Rrënimi i murit, në mënyrë krejtësisht të qetë, tregon sa i rëndësishëm është dialogu i brendshëm. Për këtë, jam i lumtur dhe kërkoj nga të gjithë qytetarët dhe faktori politik që të mos bien pre e asnjë provokimi e as nxitjeje”, ka thënë më tej kryekuvendari Veseli.