Përzierja e kryeparlamentarit Kadri Veseli në punët e Qeverisë së Kosovës ka ngritur “gjakrat” e partnerit të koalicionit në ekzekutiv, LDK-së, të cilët thonë se i pari i Kuvendit nuk ka asnjë bazë ligjore të japë beneficione nga buxheti i shtetit.
Ditë më parë Veseli u premtoi nga 100 mijë euro shpërblim për secilin futbollist të Përfaqësueses së Kosovës, në rast të suksesit të tyre në kualifikimet për “Botërorin e Rusisë”. Ai po ashtu nënshkroi edhe një memorandum mirëkuptimi me përfaqësuesin e kompanisë “Stone Alliance” nga SHBA-ja, me ç’rast u tha se miliona euro do të investohen në Kosovë, shkruan “Zëri”.
“Si kryetar partie ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë veç nëse zotëri Veseli ka menduar t’i japë paratë e veta. Ndoshta ka buxhet personal, por si kryetar i Kuvendit nuk ka një linjë buxhetore përmes së cilës mund ta bëjë transferin e këtyre mjeteve, që mund të shkojë në 2-3 milionë euro”, ka deklaruar për “Zërin” deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
Por me Gashin nuk pajtohet deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Kjo e fundit ka deklaruar për gazetën “Zëri” se kryeparlamentari Veseli nuk është inkuadruar fare në çështje të Qeverisë, porse, sipas saj, ai është lideri i partisë më të madhe në Kosovë.