Mbrojtësi Frederic Veseli ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdoj në kampionatin e Shqipërisë.
“Panorama Sport” ka raportuar të enjten se Veseli pritet t’i bashkohet Dinamo Cityt, skuadër kjo që ditë më parë e prezantoi trajnerin Ilir Daja.
Thuhet se marrëveshja mes Dinamos dhe Veselit mund të arrihet brenda javës, pasi palët ka kohë që janë në bisedime intensive.
31-vjeçari po shihet te Dinamo si përforcim i duhur për mbrojtjen, duke pasur parasysh përvojën e tij në disa prej kampionateve më të forta në Evropë.
Veseli ka bërë karrierë në Angli, Zvicër, Itali, Francë kurse sezonin e shkuar ishte në Turqi te skuadra e Karagymrykut.
Ai, po ashtu ka bartur fanellën e skuadrave si Benevento, Salernitana, Empoli, Le Mans, Lugano, Manchester City, Manchester United e disa ekipe tjera të kategorive më të ulëta angleze.
Gjithashtu, Veseli ka edhe 44 paraqitje për Shqipërinë, ndërsa herën e fundit është grumbulluar me kombëtaren kuqezi në mars të këtij viti por nuk ka luajtur që nga tetori i vitit 2023.