Veseli: Demarkacioni votohet më 1 shtator, Biden më konfirmoi mbështetjen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur për herë të parë për mesazhin që atij i ka dhënë personalisht zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.

Ai tha se numri dy i SHBA-së i ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme për Kosovën në të gjitha proceset.

“Mesazhi ishte i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë me ju. Ky ishte mesazhi që më dha zëvendëspresidenti Biden kur e përshëndeta në shkallët e avionit. Ai më siguroi se mbështetja e SHBA-ve do të jetë e fuqishme”, tha Veseli në një intervistë në Klan Kosova.

Ai tha se tani të gjithë deputetët duhet të bëhen bashkë dhe të miratojnë demarkacionin dhe ti hapin rrugë perspektivës. Veseli u shpreh i bindur se demarkacioni do të miratohet më 1 shtator.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet sa më urgjentisht të votojnë në mënyrë unanime demarkacionin sepse është në të mirë të vendit. Deputetët duhet ta dinë qartë se miratimi i demarkacionit i hapë rrugë perspektivës së shtetit, ndërsa alternativa tjetër e qon Kosovën në rrugë të paditur. Prandaj të gjithë deputetët duhet të reflektojnë sepse mesazhet janë të qarta, Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, nga presidenti Obama, zëvendëspresidenti Biden dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Tani të gjithë ne duhet të marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe ta miratojmë demarkacionin”, tha Veseli.