Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli është I bindur se shënjimi I kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka shkuar mbi bazë të fakteve juridike dhe sipas tij, Komisioni shtetëror e ka kryer mirë punën.
Ai tha se opozita po manipulon me ndjenja historike të qytetarëve, duke folur për padrejtësitë historike.
“Ne i kemi dëgjuar të gjitha argumentet dhe I kemi parë faktet të cilat dëshmojnë qartë se kufiri është shënjuar mbi bazën juridike të shpalljes së pavarësisë, marrëveshjes së NATO-s dhe verifikimit që më pas I është bërë edhe nga Departamenti Amerikan I Shtetit dhe nga ekspertët evropianë. Ky është territori I Republikës së Kosovës. Nuk kemi humbur asnjë milimetër”, tha Veseli gjatë intervistës në RTK.
Veseli përmendi argumentet e disa ekspertëve opozitarë në debatin e 3 gushtit, por siç tha ai, nuk është I prirë tu besojë hartave jugosllave dhe mendësisë jugosllave, por i beson Shteteve të Bashkuara, miqve evropianë dhe ekspertëve të komisionit shtetëror.
“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi do të kalojë. Duhet ta dimë vetëm një fakt se Kosova fiton shumë me këtë demarkacion kur ta miratojë. Ndërsa nëse nuk do të bëhej, e ardhmja është e panjohur. Ne duhet të bëjmë vendimmarrje historike më 1 shtator dhe ti hapim perspektivë vendit për reforma dhe zhvillim ekonomik, për ta ndryshuar cilësinë e jetës”, tha Veseli.
Ndërsa duke folur për shtyrjen e seancës për 1 shtator, Veseli sqaroi se kjo ka ardhur në konsultim të plotë mes partnerëve të koalicionit qeveritar dhe me mirëkuptim që ratifikimi të ndodhë pas vizitës së zëvendëspresidentit Joe Biden.