Në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është zhvilluar sot takimi i Grupit të Grave Deputete me mbi 100 asembleiste nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe përfaqësuese të tjera komunale, në të cilin është diskutuar për buxhetimin gjinor.
Takimi është organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e UNDP-së.
Në fjalën e hapjes së këtij takimi, kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra, uroi fillimisht znj. Ardita Sinani për pozitën e re në krye të Komunës së Preshevës, ndërsa më pas u ndal te pozita e gruas në shoqërinë tonë dhe te mundësitë e fuqizimit të rolit të saj.
Ajo tha se sot dyert e Kuvendit janë hapur për të gjitha gratë e angazhuara në jetën politike në të gjitha asambletë komunale, për bashkim të vlerave, për fuqizim dhe zhvillim të demokracisë. Deliu tha se misioni i grave deputete është që t’u krijojë mundësi shumë grave dhe vajzave te reja për ta bërë një ambient të politikës të pranueshëm për to.
“Në vitin 2015, Kuvendi ka miratuar Ligjin e ri për barazi gjinore, në bazë të së cilit kërkohet që 50 për qind e pozitave në të gjitha sektorët t’u takojnë grave. Megjithatë, raportet thonë se ky ligj nuk po gjen zbatim as ne institucionet qendrore e aq me pak në ato lokale. Në numër total të shërbyesve civilë, 41 për qind llogaritet që janë gra, por shqetësuese mbeten pozitat drejtuese, 5.2 për qind e të cilave udhëhiqen nga gratë”, theksoi Deliu-Kodra.
Ajo shtoi se pjesëmarrja aktive e grave në politikat lokale ka impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre, duke e rritur efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën e komunës.
“Kjo dëshmohet më së miri me angazhime konkrete dhe me iniciativa të shumta që kanë marrë asembleistet gjatë mandatit të fundit”, theksoi kryetarja e GGD-së.
Në vazhdim, takimin e përshëndeti kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili në fjalën e tij theksoi domosdoshmërinë e forcimit të rolit të grave në të gjitha sferat e jetës, duke vlerësuar se fuqizimi i grave është proces nga i cili varen të gjitha proceset e tjera vitale të shtetit, në radhë të parë zhvillimi ekonomik, edukimi i të rinjve dhe demokratizimi i shoqërisë në përgjithësi.
Por, që të arrihet ky emancipim, sipas tij, Kosovës i duhen politika të qarta dhe të vendosura që stimulojnë gjithpërfshirjen e grave në jetën publike, në politikë, ekonomi dhe sisteme të edukimit.
“Barazia gjinore është interes nacional dhe strategjik i shoqërisë sonë që aspiron zhvillimin dhe ecjen përpara në proceset euro-atlantike”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli tha se Kuvendi ka miratuar një mori ligjesh, që në përmbajtjen e tyre formale janë ligje të standardeve më të mira evropiane, por ajo që shihet është se këto ligje po hasin në vështirësi serioze gjatë zbatimit të tyre.
Veseli tha se neglizhenca e institucioneve ligjzbatuese është një prej shkaqeve, por, sipas tij, kjo neglizhencë shpesh vjen nga praktikat e pashkruara konservative kulturore, nga mentaliteti patriarkal që ushqen diskriminimin e grave në tregun e punës, diskriminimin e tyre në fushën e të drejtave civile që kanë të bëjnë më pronësinë dhe trashëgiminë, si dhe diskriminimin në marrjen e kredive investuese në bankat e Kosovës, duke i shtuar edhe diskriminimin në procesin e përzgjedhjes në postet publike brenda sistemit institucional të shtetit.
“Këto praktika diskriminuese nuk ndryshohen vetvetiu. Është koha për veprime të drejtpërdrejta dhe konkrete, për tejkalimin e barrierave të diskriminimit gjinor të grave. Vetë gratë duhet të jenë subjekt i këtij i këtij ndryshimi dhe udhëheqëse të tij”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Veseli inkurajoi asambleistet e asambleve komunale që të jenë më të zëshme në asambletë e tyre, më insistuese dhe më kreative njëkohësisht në politikat e qeverisjes lokale. Ai tha se është në dorën e grave asembleiste që të mos lejojnë që asambletë e komunave tona të shndërrohen në oda burrash ku zëri i grave nuk dëgjohet.
Zv/përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccassalvo, duke folur për mbështetjen e UNDP-së për fuqizimin e grave në Kosovë, tha se sfidat e barazisë gjinore janë sfida të shoqërisë njerëzore. Kauza e barazisë, sipas saj, është madhore.
“Kosova sot është e para në rajon për nga numri i grave deputete. Ka pasur grua Presidente. Ka gjykatëse e prokurore. Sot ka shumë më shumë gra që punojnë e që udhëheqin biznese dhe ky numër po rritet çdo ditë”, theksoi Roccassalvo. Ajo tha se buxhetimi gjinor është fushë e rëndësisë së lartë për sukses të mëtejmë.
“Mbledhja e sotme është një mundësi shumë e mirë për të reflektuar në këtë fushë dhe për të zhvilluar më tej partneritetin mes dy niveleve të pushtetit”, theksoi Roccassalvo.
Kryetarja e sapozgjedhur e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e pranishme në këtë takim, në fjalën e saj para të pranishmeve, theksoi se duhet të rriten përpjekjet që rëndësia e femrës të mos shihet vetëm si shtyllë e familjes, por edhe e shoqërisë dhe e të gjitha proceseve politike e shoqërore.
“Një faktor shumë i rëndësishëm në realizimin e të drejtave të barabarta mes gjinive dhe avancimit të pozitës së femrës në shoqëri, padyshim është pavarësia financiare e femrës. Realizimi i plotë i buxhetimit gjinor është fitorja e radhës dhe me rëndësi të veçantë në luftën tonë të përbashkët”, theksoi kryetarja Sinani.
Në vazhdim, lidhur me temën e këtij takimi dhe për rëndësinë e fuqizimit të rolit të gruas në përgjithësi, diskutuan edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës: Lirie Kajtazi, Shqipe Pantina, Time Kadriaj, Shukrije Bytyçi dhe Myfera Shinik.
Takimi vazhdoi me diskutime të asembleisteve nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe deputete të Kuvendit të Kosovës, të cilat shfaqet qëndrimet e tyre lidhur me buxhetimin gjinor në qeverisjen lokale, për rëndësinë, sfidat dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren në këtë proces.
Në fund, u lexuan edhe disa propozim-rekomandime, mbi bazën e diskutimeve të pjesëmarrëseve.