Gjatë ditës së sotme, pas situatës së krijuar së fundmi nga reshjet e dendura atmosferike të shiut e borës, Departamenti i Cilësisë se Ujit dhe Burimeve në kuadër të KRU “Prishtina” ka mbikëqyrë cilësinë e ujit në burime sipërfaqësore dhe nëntokësore, sipas planit operacional për kontroll të kualitetit në të gjitha zonat e shërbimit, ku furnizimi me ujë bëhet nga kjo kompani.
Sipas KRU “Prishtina” gjendja aktuale me vërshime është më e rënduar në Fushë Kosovë, me ç’rast kanë marrë veprime parandaluese duke i larguar nga prodhimi pjesërisht dy puse nëntokësore, për të ruajtur cilësinë e ujit në plotni.
Sistemet prodhuese në NJOU Shtimje, Lipjan, Peran, Vragoli të cilat furnizimin e kanë nga puset nëntokësore janë larg rrezikut për t’u vërshuar dhe cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm!
Fabrikat e trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, të cilat furnizimin e kanë nga Kanali Ibër Lepenc janë duke punuar me kapacitet të reduktuar për shkak të turbullirës së lartë në kanal, gjithnjë me qëllim që uji të jetë më cilësor dhe i pastër!
Liqenet artificiale sipërfaqësore Badoci dhe Batllava kanë një ngritje të nivelit të ujit, por që kjo rritje e nivelit nuk ka ndikuar as në rritje të turbullirës dhe as në cilësinë e ujit, andaj edhe gjendja është mjaft stabile.
Ekipa e Laboratorit së bashku me përgjegjësit e këtyre sistemeve prodhuese, ka marrë mostra gjatë tërë ditës për të parë më afër cilësinë e ujit të pijshëm në rezervuare dhe rrjetin shpërndarës të ujit për të evituar ndotjen eventuale.