Verderi ende beson te Milot Rashica

Verder Bremeni i Milot Rashicës i ka vetëm edhe dy ndeshje për ta siguruar mbijetesën në Bundesligë, mirëpo mund ta bëjë një hap të madh drejt këtij qëllimi gjatë ditës së shtunë, kur përballet me Maincin.

Bremeni është ekipi i parafundit në tabelë dhe rrezikon ta humbas statusin si klubi me më së shumti vite të kaluara në ligën elitare të futbollit në Gjermani. Ata e kanë vetëm një pikë më pak se Fortuna Duseldorf, që e zë vendin e play-offs për rënie nga Bundesliga, mirëpo gjashtë më pak sesa Mainci që radhitet në pozitën e 15-të pas fitores befasuese kundër Borusia Dortmundit.

Bremeni do ta vizitojë Maincin në njërën nga nëntë ndeshjet e Bundesligës që do të nisin në orën 15:30, ndërsa do ta presë Kellnin për ditën e fundit të sezonit më 27 qershor. Tifozët shpresojnë se Rashica, i cili s’ka shënuar gol që nga dhjetori, do të kthehet në formën e tij të vjetër për këto “finale”.