Promovimi i librit të imam Vehbi Ismailit, më tepër se sa një eveniment kulturor dhe promovim i veprimtarisë publicistike, paraqet dëshmi të angazhimit dhe përkushtimit të BIK për promovimin e veprimtarisë së imamëve të mërgatës shqiptare, si pjesë e pandashme e trungut intelektual fetar dhe patriotik kombëtar. Përzgjedhja e veprës së Imam Vehbi Ismailit, si një nga doajenët e veprimtarëve fetarë islamë dhe kombëtar shqiptar në mërgatë, respektivisht në SH.B.A., është një veprim i qëlluar, ngase Imam Vehbi Ismaili përbën personalitetin poliedrik i cili në rrafshin e rilindjes fetare në mërgatën shqiptare islame në SH.B.A., nuk u fokusua vetëm në themelimin e institucioneve fetare, që në atë kohë ka qenë një nga nevojat imediate për mërgatën shqiptare të përkatësisë fetare islame, por u shtri edhe në segmentet e tjera të veprimtarisë fetare, kulturore, arsimore dhe kombëtare të kësaj mërgate në SH.B.A., në përgjithësi, dhe të mërgatës shqiptare islame në veçanti. Në këtë kontekst duhet theksuar veprimtarinë publicistike, ku Imam Vehbi Ismaili u dallua, si me vepra autoriale, ashtu edhe me përkthime, e që një nga veprat e tij të sukseshme e cila ka pasur disa botime, është edhe libri që sot jemi duke e promovuar, dhe që ka një simbolikë të madhe në drejtim të orientimit të estabilishmentit fetar dhe drejtues të institucioneve fetare të mërgatës shqiptare islame në bartjen e amanetit tek brezat e rinj të mërgatës, pasi stili i shkrimit të librit qartë dhe pa ekuivoke e reflekton këtë.
Ky hap është për t’u përshëndetur, në veçanti nga krerët fetarë të mërgatës shqiptare islame në Perëndim, në këtë rast në Zvicër, pasi konsiston në promovimin e veprave të hoxhallarëve shqiptarë në mërgatë, me theks të veçantë në fushën e veprimtarisë botuese si një segment i veçantë i angazhimit të hoxhallarëve në mërgatë. Gjurmët e Imam Vehbi Ismailit në fushën fjalës së shkruar, i ndoqën edhe hoxhallarët e tjerë shqiptarë të cilët veprojnë në Perëndim, në rastin tonë në Zvicër, të cilët krahas angazhimit bazë në xhami: udhëheqjes së xhematit në namazet ditore, ligjërimit dhe zhvillimit të mësim-besimit, i kushtuan kujdes edhe fjalës së shkruar, si në drejtim të veprave autoriale, ashtu edhe atyre të përkthyera. Po ashtu, institucionet fetare, gjegjësisht xhamitë dhe KMSHZ si organizatë ombrellë e xhamive të themeluara nga shqiptarët në Zvicër, e cila është kurorëzim i procesit që na bënë krenar të gjithëve, gjegjësisht unifikimin e dy organizatave ombrellë që i përfaqësonin xhamitë shqiptare në Zvicër, i kanë kushtuar vëmendje veprimtarisë botuese.
Duhet nënvizuar në veçanti se xhematlinj dhe xhami që veprojnë në Zvicër e kanë financuar botimin e disa librave me karakter fetar në vendlindje dhe në mërgatë, por jo vetëm, ngase mbështetje financiare është ofruar edhe për libra të historisë kombëtare, monografi, etj.
Për atë, mund të themi se mbështetja materiale për botimin e librave është e konsiderueshme nga xhematlinjtë dhe xhamitë e Zvicrës, dhe në botime kemi tre forma si paraqitet kjo mbështetje:
-Si mbështetës të pjesërishëm bashkë me donatorë të tjerë jashta Zvicrës.
-Si sponzor të vetëm të botimit të librit, që don të thotë se e kanë mbuluar materialisht komplet botimin. Kjo nuk nënkupton domosdo se xhematilinjtë dhe xhamia sponzoruese paraqitet edhe si botues.
– Botues të librit. Xhami të themeluara nga shqiptarët në Zvicër kanë bërë disa botime të cilat e mbajnë siglën e tyre, pra ato janë botuesi.
Në këtë paraqitje që më së tepërmi i ngjanë një fjale rasti për veprimtarinë botuese të xhamive dhe KMSHZ-së në Zvicër, se sa një kumtese të mirëfilltë shkencore për veprimtarinë botuese të xhamive shqiptare në Zvicër, e cila meriton të elaborohet gjërësisht, në mënyrë telegrafike do të përmendi sa për ilustrim, si vijon:
– Xhamia Hëna e Re Kreuzlingen ka botuar 10 libra, dhe në këto libra, kjo xhami, paraqitet si botues e jo vetëm si sponzor. Në mesin e autorëve librat e të cilëve i ka botuar kjo xhami ka edhe emra të njohur si: Taha Xhabir El Alewani, Hurshid Ahmed, etj.
-Xhamia e Wilit ka botuar 8 libra, ku ka botime edhe në gjuhën gjermane.
-Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë ka botuar pesë libra, ku do të mund të theksohet botimi i fetvave të Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, si dhe të Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame.
-Bashkësia Islame Regensdorf ka botuar tre libra, dhe është sponzoruese e shumë botimeve tjera.
-Qendra Islame Shqiptare Reno –Lozanë, ka botuar dy libra si sponzor.
-Xhamia Dituria në Gjenevë i ka 2 botime si sponzor.
-Xhamia e Bardhë në Aarburg i ka 2 botime.
-Dhe xhamia e Fondacionit të Rinisë Islame në Cyrih e cila ka mbi 50 botime, ku përfshihen edhe vepra kapitale dhe autorë të njohur në botën islame, si: Muhamed Gazali, Abdullah Nasih Ulvan, Muhamed Muteveli Sharavi, Abdul Kerim Zejdan, etj.
Kur jemi te botimet e xhamive, më duhet të theksoj në mënyrë të veçantë botimet vijuese:
-Nga botimet e Fondacionit të Rinisë Islame, themelues i xhamisë së Seebachut në Cyrih, do ta theksoja veprën kapitale: Tefsirin e Ibn Kethirit në tetë vëllime si dhe Fikhun Hanefi të autorit Mahmud Tuhmaz në katër vëllime.
-Botimin e veprës kapitale të dijetarit të famshëm Ebu Hamid El Gazali: Ihjau ulumiddin. Botimin e kësaj vepre kapitale e ka sponzoruar Xhamia e Rebsteinit, megjithëse botues shënohet Furkan Ism- Shkup. Kjo dukuri i ka ndjekur botimet e disa xhamive në Zvicër. Edhe pse xhamia ka bërë financimin e plotë të botimit, botues figuron një shtëpi botuese, apo botim privat, ndërkaq xhamia figuron vetëm si sponzor. Xhamitë që bëjnë botime do të duhej të ishin të vëmendshme në këtë drejtim, në veçanti ato që mbulojnë botimin e veprave kapitale.
– Bashkësia Islame Shqiptare “Ebu Hanife” në Grenchen të Kantonit të Solothurnit, në vitin 2021 e ka botuar monografinë me titull: “Xhamia Ebu Hanife në Grenhen”, të autorit Rexhep Ismaili. E theksuam këtë libër ngase është i një rëndësie të veçantë për historikun e xhamive të themeluara nga shqiptarët në Zvicër- me çka formohet arkiv i pasur dhe i rëndësishëm për studiuesit e jetës fetare në Zvicër në përgjithësi, si dhe jetës fetare të komunitetit musliman shqiptar dhe xhamive të themeluara nga mërgata shqiptare në Zvicër në veçanti. Libri jep një pasqyrë të xhamisë Ebu Hanife nga themelimi e deri në ditët e sotme. Flet për zanafillën e kësaj xhamie, etapat e zhvillimit të saj, ndërtimin dhe sfidat gjatë ndërtimit, ecurinë e ndërtimit, strukturën udhëheqëse, aktivitetet, hapësirat e xhamisë, etj. Edhe xhamitë e tjera do të duhej të punojnë në këtë drejtim, ngase në këtë formë ne lëmë arkiv për xhamitë e themeluara nga shqiptarët në Zvicër, si dhe për veprimtarinë fetare, kulturore dhe sociale të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër dhe në Perëndim. Kur jepen me qindra mijë franga, apo edhe mlijona për ndërtimin e një xhamie, ia vlenë që të jepen disa mijëra franga edhe për vepra të këtilla me vlerë historike.
-Xhamia e Flumsit ka sponzoruar librin me titull: “ Shqiptarët në rajonin e Sarganserlandit”, të autorëve Naser Ramadani dhe Vazhid Sejdiu, i cili është botuar në vitin 2018. Ky libër është i rëndësishëm për historikun dhe jetën e mërgatës shqiptare në regjionin e Sarganserlandit, si dhe veprimtarinë e xhamisë së themeluar nga shqiptarët në Flums, të shkollës shqipe dhe të shoqatës bashkimi. Edhe ky është një libër që meriton të theksohet ngase ka folur gjërësisht për xhaminë, shkollën shqipe dhe shoqatën “Bashkimi”. Jepen detaje për strukturën e organizimit të këtyre tre institucioneve, aktivitetet dhe rolin e tyre për jetën fetare, kulturore dhe arsimore të komunitetit shqiptar në Sarganserland. Libri flet edhe për historinë e ardhjes së shqiptarëve në këtë regjion.
.-Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë, ka botuar 5 tituj. Ajo që duhet theksuar për këtë qendër është botimi i buletinit vjetor që i përfshinë aktivitetet e kësaj qendre brenda vitit. Ky buletin paraqet një materje të pasur për studiuesit e jetës fetare të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër, pasi përshkruhen të gjitha aktivitetet me infromata të detajuara.
Këtu duhet nënvizuar se të gjitha xhamitë prezantojnë raporte të detajuara të aktiviteteve të tyre para xhematit në kuvendet vjetore që mbahen me anëtarët, dhe këto raporte publikohen në forma të ndryshme adekuate për xhematin dhe xhaminë përkatëse, por ajo që e dallon Qendrën për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë është botimi kualitativ i këtyre raporteve, të punuara dhe të sistemuara në mënyrë profesionale, si dhe të shoqëruara me një parathënie nga personalitete të ndryshme jashtë anëtarëve të xhamisë, të cilët në ndonjë mënyrë kanë marrëdhënie me këtë qendër dhe janë pjesëmarrës në ndonjë nga aktivitetet e saj.
Hoxhallarët: Të cilët veprojnë në Zvicër kanë kontribut të çmuar në fushën publicistike përmes veprave autoriale, përkthimeve dhe artikujve nëpër gazeta, revista shkencore dhe portale të shumta. Veprat e tyre, qofshin ato autoriale apo përkthime, janë publikuar si botime të shtëpive të ndryshme botuese në vendlindje, apo botime private të vetë atyre si autorë apo përkthyes, apo nga ana e xhamive ku ata shërbejnë në Zvivër.
Në vazhdim, sa për ilustrim, do të përmendim disa hoxhallarë që kanë kontribut më të theksuar në këtë fushë:
-Ferid Zeqiri, imam i Xhamisë së themeluar nga shqiptarët në Regensdorf, është autor i dy librave dhe përkthyes i katër librave nga gjuha arabe.
-Nehat Ismaili, imam në xhaminë e Bardhë në Aarburg, është autor i një vepre, dhe përkthyes e bashkëpërkthyes i 30 librave nga gjuha arabe në gjuhën shqipe.
-Enes Koshi, teolog dhe veprimtar në Zvicër, është përkthyes i tre librave nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, si dhe ka bërë recenzimin e veprës kapitale Ihjau ulumid din të imam El Gazaliut, të përkthyer në gjuhën shqipe.
-Bekim Alimi, imam në xhaminë e themeluar prej shqiptarëve në Wil, është autor i 6 librave dhe përkthyes dhe bashkëpërkthyes i dy librave nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe. Ka punuar edhe disa aplikacione digjitale.
-Dr.Besim Nuzi, imam në xhaminë e Langentalit, është autor i 5 librave, si dhe përkthyes i tre librave.
-Rejhan Neziri, imam në xhaminë Hëna e Re në Kreuzlingen është autor i 11 librave, te njëra bashkëautor, si dhe përkthyes dhe bashkëpërkthyes i dhjetë librave nga gjuha angleze, turke, boshnjake dhe gjermane në gjuhën shqipe. Rejhan Neziri ka libra të shkruara edhe në gjuhën gjermane.
-Dr. Bashkim Aliu, imam në xhaminë e Seebachut, është autor i 25 librave, si dhe përkthyes dhe bashkëpërkthyes i 20 librave nga gjuha arabe dhe boshnjake.
-Hoxhallarët të cilët veprojnë në Zvicër janë prezent me shkrimet e tyre edhe në gazeta dhe revista të ndryshme në vendlindje, me theks të veçantë ato që botohen nga ana e Bashkësive islame në vendlindje, si: Dituria Islame, Edukata Islame në R. E Kosovës, dhe Hëna e re në R.M. së Veriut. Disa prej tyre kanë të publikuar edhe punime shkencore në revista shkencore me impakt faktor. Po ashtu, kanë shkruar edhe disa recenzione. Kjo, krahas artikujve të karakterit të ndryshëm nëpër shumë media elektronike dhe të shkruara.
Këtu nuk mund të mos përmendet promovimi i librave që është bërë një aktivitet i zakonshëm në xhamitë e themeluara nga shqiptarët në Zvicër, e që kontribuon gjithsesi edhe në avansimin e librit në gjuhën shqipe në mërgatën islame në Zvicër dhe më gjërë.
KOMUNITETI MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR (KMSHZ)
-KMSHZ, organizata ombrellë e xhamive shqiptare në Zvicër, nuk e ka lënë pas dore edhe veprimtarinë botuese. Në veçanti është fokusuar në botimin e librave që paraqesin material pune për zhvillimin e mësim-besimit nëpër xhami, siç është libri për mësimin e shkronjave të alfabetit të Kur’anit “Shkronjat arabe”. Po ashtu, i ka botuar edhe titujt vijues:
-Ekstremizmi në emër të Islamit, i botuar në vitin 2018.
-Pandemia Kovid-19 në agjendën e organizatave islame- Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër si shembull.
-Festimi i Mevludit sherif- Autor: Sejjid Muhamed ibn Alevi El Maliki el Hasenij. Përkthyes Enes Koshi. Botuar në vitin 2021.
-Rregullat e Texhvidit për fillestarë- Autor: Jahja El Gauthani. Përkthyes: Enes Koshi. Botuar në vitin 2021.
Ekstremizmi në emër të Islamit është një vepër mjaft e rëndësishme për të ravijëzuar diskursin dhe filozofinë religjioze te imamët shqiptarë në Zvicër. Libri erdhi si nevojë e kohës, pasi midis viteve 2014-2016 u intensifikua tejmase dukuria e ikjes së shumë të rinjve muslimanë nga vendet evopiane, e në mesin e tyre edhe një numër jo i vogël i të rinjve shqiptarë, në vatrat e luftës në Siri, Irak, e gjetiu, me pretendim se po e mbështesin shtetin islam. Por në të njejtën kohë, ky libër erdhi edhe si obligim parimor për ta promovuar rrugën autentike islame, të mbështetur në argumente të qëndrueshme, si dhe për t’i demaskuar interpretimet e shtrembëruara të cilat gjenerojnë fetarësi jo kredibile dhe jo autentike, e bile edhe skandaloze me pasoja shqetësuese për imaxhin e muslimanëve dhe të islamit si fe në opinionin publik në botë.
“Për një vetëdijësim më të mirë dhe për t’iu shmangur shtresimeve dhe drejtimeve të shrembëruara të muslimanëve shqiptarë këtu në Zvicër, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, mori përsipër të organizojë disa seminare me të rinjtë e xhemateve shqiptare, ku realizoi tre takime në tri xhami, gjegjësisht në Xhaminë e Bardhë në Aarburg, në Xhaminë e Cyrihut dhe në xhaminë Hëna e Re në Kreuzlingen. me ç’rast morën pjesë një numër i konsiderueshëm i të rinjve. Pas mbarimit me sukses të këtyre të këtyre seminareve, kryesia e asaj kohe e UBISHZ vendosi që kumtesat në fjalë t’i botojë në një libër të veçantë…Në këtë libër bëhet një hulumtim, fillimisht rreth historikut të qasjeve ekstremiste dhe identifikimit të faktorëve të cilët ndikojnë në sjelljet e skajshme të individëve, në rastin tonë të ca grupeve muslimane, e që idenë dhe veprimtarinë e ushtrojnë përmes formave të dhunshme të radikalizmit dhe ekstremizmit…Autorët e librit përpiqen të ofrojnë zgjidhje dhe pikëpamje objektive, reale, të kënaqshme dhe të arsyeshme në lidhje me atë se çfarë mund të ndikojë në zvogëlimin dhe mënjanimin e eskalimit të ekstremizmit në shoqërinë tonë në përgjithësi, e sidomos te të rinjtë shqiptarë muslimanë në veçanti, ku vend qëndror zen kuptimi i drejtë i teksteve fetare. Për një veprim human në parandalimin e dukurive devijante të të rinjve tanë, meritë të veçantë kanë imamët dhe kryesitë e xhamive tona, që veprojnë në kuadët të KMSHZ-së, të cilët me punën dhe kontributin e tyre janë munduar t’i ruajnë vlerat burimore, tradicionale dhe kulturore të trashëgimisë sonë islame shqiptare, vlera këto që, assesi nuk janë identifikuar me elemente të dhunës, skajshmërive dhe të ekstremizmit…”. Libri meriton të botohet dhe të vazhdojë të promovohet si brenda Zvicrës ashtue dhe jashtë saj.
Këtë paraqitje telegrafike do të mund ta përfundonim me rekomandime vijuese:
-Xhamitë e themeluara nga shqiptarët në Zvicër, t’i kushtojnë kujdes botimit të monografive ku do të flitet për historikun e xhamisë, zhvillimin e jetës fetare në komunitetin përkatës si dhe aktivitetet e xhamisë. Me këtë do të bëhej një shërbim i çmueshëm, në veçanti për studiuesit e jetës fetare të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër.
-Xhamitë t’i japin hapësirë të duhur edhe botimit të librave në aprovimin e buxheteve të tyre.
-KMSHZ t’i kushtojë vëmendje më të madhe botimit të librave, si veprave autoriale të hoxhallarëve shqiptarë të cilët veprojnë në Zvicër në veçanti, po ashtu edhe përkthimeve kualitative dhe të nevojshme për komunitetin musliman shqiptar në Zvicër.
-Riaktivizimi dhe rishikimi i përbërjes së komisionit për botim, i cili do të kishte një rol të rëndësishëm në veprimtarinë publicistike të KMSHZ-së në përgjithësi.
-Organizimi i promovimeve më të shpeshta të librave, me çka do të promovohej edhe rëndësia e librit dhe veprimtarisë botuese në komunitetin musliman shqiptar në Zvicër përmes aktiviteteve të xhamive.
-Bashkësitë Islame në vendlindje të botojnë dhe të promovojnë vepra apo përkthime kualitative dhe të rëndësishme të imamëve shqiptarë që veprojnë në mërgatë. Me këtë rast, do ta kishin sugjeruar librin e rëndësishëm dhe të nevojshëm “Ekstremizmi në emër të Islamit”, i cili trajton një problematikë aktuale dhe mjaft të debatuar në qarqe të ndryshme dhe në opinionin publik.
-Të intensifikohet bashkëpunimi përmes mënyrave të përshtatshme në mes institucioneve shkencore të Bashkësive Islame të vendlindjes dhe KMSHZ-së në fushën e botimeve.
P.S.
Kumtesë e paraqitur me rastin e promovimit të librit “Muhamedi a.s., Profeti Islam”, të autorit Imam Vehbi Ismaili (Allahu e mëshiroftë).
Ky aktivitet u realizua në ambientet e xhamisë shqiptare në Regensdorf, , me datë 27.05.2023, i organizuar nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës.
Ky aktivitet pati një rëndësi të veçantë pasi ishte i pari i këtij lloji që zhvillohej në bashkëpunim mes dy institucioneve përkatëse, gjë e cila tregon fillimin e një nisme të re, të ndërmarrë nga dy bashkësitë fetare përkatëse, nga KMSHZ dhe BIK. Delegacioni i BIK-ut përfaqësohej nga Mr. Sabri ef. Bajgora, drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Ramadan Shkodra, drejtor për kulturë dhe veprimtari botuese, dhe Bashkim ef. Mehani, redaktor artistik në shtëpinë botuese “Dituria Islame” pranë BIK.
Nga: Dr. Bashkim Aliu