Fillimet e vullnetit janë një shqetësim dhe preokupim, kurse fundi i tij është vendosmëria. Ne themi për dikë që është i vendosur, pasi ka arritur atje ku ka dëshiruar.
Gjithashtu, themi “mbret i vendosur” për një mbret të fuqishëm, i cili kur e dëshiron diçka, e arrin.
Një besimtar, nuk mund të arrijë besim të fortë, nëse nuk karakterizohet nga një vendosmëri e lartë.
Edhe një jobesimtar mund të jetë i vendosur dhe me vullnet, nëse është i sinqertë në ideologjitë e tij. Thuhet që një jobesimtar i sinqertë, triumfon ndaj një besimtari fallco.
Tregohet se Izabela, mbretëresha e Kastiljes, ishte betuar se nuk do e ndërronte këmishën e brendshme, derisa t`a çlironte plotësisht Kastiljen dhe t’ia kthente të krishterëve dhe mbretërisë së saj edhe pëllëmbën e fundit të Grenadës. Këmisha e saj njihet si “Këmisha e moçme e Izabelës” Ajo vazhdoi të sakrifikojë për tridhjetë vite me radhë, për të realizuar synimin që i kishte vënë vetes dhe ishte e vendosur në armiqësinë e saj kundër myslimanëve.
Ajo shpenzonte stolitë dhe diamantet e saj, me qëllim që të financonte ushtrinë. Ishte vetë ajo që financonte udhëtimet e Kristofor Kolombit për zbulimin e Amerikës.
Muhamed Ikbal thotë: ”Besimtari i dobët, justifikohet me kaderin dhe caktimin e Zotit. Kurse besimtari i fuqishëm, është vetë kaderi dhe caktimi i Zotit mbi tokë”.
Vetë emigrimi i Profetit (a.s) “Hixhreti” është kulmi i vendosmërisë dhe vullnetit të çeliktë. Secili personazh nga personazhet e Hixhretit, mishëron vullnetin, vendosmërinë dhe ambicien e lartë.
Kjo duket më mirë tek i dërguari i Zotit, i cili edhe pse përndiqej nga Kurejshët, në kulmin e përndjekjeve, ai i premtonte Surakas stolitë e mbretit pers.
Profeti Ibrahim (a.s)
Ai e ekspozoi veten dhe jetën e tij ndaj zjarrit, sakrifikoi gjithçka për të kënaqur dy miqtë e tij, pranoi të ofrojë djalin për kurban dhe si shpërblim fitoi kënaqësinë dhe lëvdatën e vetë Zotit të madhëruar. Zoti thotë në Kuran mbi Ibrahimin: ”dhe Ibrahimi, i cili i plotësoi detyrimet”. (Nexhm: 37)
Vendosmëria e tij shfaqet dhe në ngritjen e themeleve dhe ngrehinës së Qabes.
Një fjalë e urtë arabe thotë: ”Shpirtrat e vendosur dhe ambiciozë, e rraskapisin dhe dërrmojnë fizikun”.
Filloje me mjetet dhe mekanizmat që të gjenden, se Zoti i çdo gjëje do e lehtësojë udhën për realizimin e objektivave.
Mbreti Nemrud, kishte urdhëruar, që Ibrahimi (a.s) të bojkotohej. Ai as nuk mund të blinte dhe as nuk mund të shiste gjë. Një ditë ai doli, që të blejë diçka për të ngrënë për gruan e tij Sarën, por askush nuk pranoi t’i shesë. Me qëllim që mos i shkaktojë dhimbe dhe trishtim, ai mbushi një qese me rërë, sikur të ishte miell dhe vajti në shtëpi. Me të lënë qesen mënjanë, ai vajti të flejë. Pas pak ai u befasua nga fjalët e gruas së tij, që i thoshte: ”Çohu të hamë bukë!” I habitur, e pyeti: ”Ku e more miellin?” Ajo ia ktheu: ”Nga qesja që solle ti”
Nëse bojkotohesh nga Nemrudi apo kushdo tjetër, dije se Zoti i qiellit nuk bojkoton askënd. Zoti thotë në Kuran: ”Furnizimi juaj ndodhet në qiell…”
Profeti Zekerija (a.s)
Zoti thotë në Kuran: ”Atje, Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Al Imran: 38)
Ajeti i mësipërm fillon me ndajfoljen e vendit “Atje”. Në fakt, Zekerija e luti Zotin në vendin ku e adhuronte gjithmonë, por ndajfolja “atje” tregon mbi vështirësinë e pranimit të një lutjeje të tillë. Realizimi i një ëndrre dhe lutje të tillë dukej i pamundur me parametrat krahasues të kësaj bote. Ai tashmë ishte në një moshë të thyer dhe i plakur dhe ç`ishte më e keqja, gruaja e tij ishte sterile.
Por Zoti që ka krijuar gjithçka dhe zotëron gjithçka nga jeta e kësaj bote, i bashkon të kundërtat, afron distancat e largëta dhe realizon të pamundurën.
Nëse bindja dhe siguria jote tek forca e Zotit është e dobët, atëherë lute Zotit të të ndihmojë. Besimi dhe bindja e dobët të thyejnë para sprovave. Kurse një njeri, që është i lidhur me Zotin, ka vendosmëri dhe ambicje, padyshim që është i fuqishëm.
Profeti Jusuf (a.s)
Zoti thotë në Kuran rreth Jusufit (a.s): ”Ai është nga robërit Tanë të sinqertë”
Duke qenë i tillë, shejtani e kishte të pamundur ta mashtrojë dhe ta tërheqë në rrugë të keqe. Ishte pikërisht sinqeriteti i tij me Zotin, ai që e mbrojti nga shejtani. Një realitet të tillë, e pohon vetë shejtani i mallkuar ku thotë: ”Përveç robërve të Tu të sinqertë”.
Kështu, Jusufi (a.s) ishte i vendosur, që të largohej nga gjynahet dhe veprat e liga.
Dijetari i njohur Ibnul Kajjim, përsëriste shpesh herë këtë shprehje: ”Tregohu i sinqertë të shpëtosh”.
Tregohu i sinqertë duke mos u ushqyer veçse me hallall, të të ruajë dhe mbrojë Zoti nga gjynahet. Zoti thotë në Kuran: ”Zoti del në mbrojtje të atyre që besuan”.
Gjëja e parë dhe më e rëndësishme nga e cila i mbron, janë gjynahet dhe punët e liga, pasi ata e përkujtojnë vazhdimisht Zotin dhe nuk e harrojnë.
Kur Profeti Jusuf (a.s) u hodh në pus, u mbajt dhe mbrojt nga vetë dora e Xhibrilit (a.s).
Nëse dëshiron të dish se çfarë vendi dhe rëndësie zë tek Zoti, kontrollo vendin e Zotit në zemrën tënde. Nëse Zoti dhe feja e Tij janë gjithçka për ty, dije se ke pozitë të lartë tek Zoti”.
Profeti Musa (a.s)
Ai është nga profetët me vendosmëri të lartë. Një cilësi tjetër e Musait (a.s) është, se ai kishte zë të lartë dhe të fuqishëm.
Kur Profeti Muhamed (a.s) udhëtoi natën e Miraxhit, dëgjoi një zë të lartë dhe të fuqishëm. I habitur e pyeti Xhibrilin (a.s): ”I kujt është ky zë kaq i lartë?” Xhibrili (a.s) i tha: ”Është i Musait”.
Profeti (a.s) e pyeti sërish: ”Po përse e ngre kaq shumë zërin?” Xhibrili (a.s) i tha: ”Zoti e dinte se Musai a.s e ka këtë ves dhe e pranoi ashtu siç ishte”.
Megjithatë, kur populli i tij i thanë, se ushtria e Faraonit po na arrin, ai ua ktheu plot besim dhe siguri: ”Kurrë! Me mua është Zoti im. Ai do më orientojë”.
Aisheja, gruaja e Profetit (a.s)
Kur lexonte ajetin: ”Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe”. (Fatir: 32), ajo thoshte: ”Përsa u përket “ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve)” janë ata, që jetuan me Profetin Muhamed (a.s). Kurse “disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat)” janë brezi dhe gjenerata, që erdhën pas tyre. Kurse “Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara)” jemi ne”.
Diçka e tillë ishte shembull modestie nga ana e Aishes, gjë e cila buronte nga vendosmëria dhe vullneti i saj.
Padyshim që modeli dhe shembulli më i lartë mbi vendosmërinë dhe vullnetin e çeliktë, është profeti Muhamed (a.s).
Vendosmëria në përftimin e dijeve
Edhe pse Musai (a.s) i bisedonte direkt me Zotin dhe pa ndërmjetës, ai tregohej modest dhe pranoi të përftojë dije nga Hidri. Ai e kundërshtoi Hidrin në tre çështje. Për këtë, Hidri refuzoi që ai ta shoqëronte më tutje dhe i tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje…” (Kehf 78)
Kurse ne i thyejmë urdhrat e Zotit me qindra herë në ditë. A nuk frikësohesh o vëlla dhe o motër se edhe ty mund të të thuhet nga Zoti: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje…”
Më vonë, Zoti e pyeti Musain: ”O Musa! Çfarë mbresash ke nga udhëtimi me Hidrin?” Musai i tha: ”Mbeta i befasuar në çështjen e anijes, fëmijës dhe të murit”.
Zoti i tha: ”O Musa! Këto janë tre gjëra që të kanë ndodhur dhe ty! Ti u frikësove se mos mbyteshit, për shkak të difektit të anijes. Ndërkohë që kur ishe foshnje, ne e urdhëruam nënën tënde të të hedhë në lum të vetëm. Kush të mbrojti nga mbytja asokohe?”
Musai i tha: ”Ti o Zot”.
Zoti i tha: ”Nëse unë të mbroj të vogël, përse mendon se të kthej shpinën pasi të rritesh?!”
O Musa! Ti kundërshtove vrasjen e një fëmijë, ndërkohë që ti vetë ke vrarë një njeri padrejtësisht.
O Musa! Përsa i përket murit që ndërtuat, është e njëjta gjë me dy vajzat, që i ndihmove për t’u dhënë ujë deleve të tyre. Ti shkove dhe u shtrive poshtë hijes së një peme dhe njëra nga dy vajzat u kthye për të të ftuar në shtëpi. Ai që të solli këtë vajzë, është po Ai që u dërgoi tek muri i dy jetimëve”.
Tregohet, që një burrë i tha Musait (a.s): ”O Musa! Kam jetuar sipas urdhrave dhe porosive të Zotit për njëzet vite me radhë. Pas këtyre viteve, i braktisa porositë e Zotit dhe kam jetuar mes gjynaheve dhe veprave të liga për njëzet vite të tjera. Tashmë dua të pendohem dhe t’i rikthehem rrugës së Zotit, por a më pranon vallë Zoti?”
Zoti e inspiroi Musain, që t’i thotë: ”Për njëzet vite na u binde dhe Ne të deshëm. Për njëzet vite të tjera na ktheve shpinën dhe Ne të dhamë afat. Nëse dëshiron t’i kthehesh rrugës tonë, të pranojmë”.
Muadh ibnu Xhebel (r.a), vdiq në moshën tridhjetë vjeçare. Megjithatë, Ditën e Kijametit ai do të ngrejë lart flamurin e dijetarëve. Ai nuk harronte asgjë nga ato që msonte nga i dërguari i Zotit.
Një ditë, Bilali (r.a) shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i dërguar i Zotit, unë nuk di të lutem siç lutesh ti dhe Muadhi. Profeti (a.s) e pyeti: “Po çfarë thua kur lutesh?” Ai iu përgjigj: ”Them: O Zot ma bëj rrizk xhenetin dhe më ruaj prej zjarrit”. Profeti a.s i tha: ”Rreth atyre fjalëve sillemi dhe unë me Muadhin”.
Abdul Melik i këshillonte fëmijët që të marrin dije dhe u thoshte: ”Nëse je i varfër, dijet të japin pasuri. Nëse je i pasur, dijet të falin përsosmëri”.
Vendosmëria në urdhërim për mirë dhe ndalimin nga e keqja
Sa herë që Ibrahimi (a.s) diskutonte me të atin, i drejtohej me fjalët: ”O babushi im!”, kurse Lukmani, i drejtohej djalit të tij: ”O biri im!”
Ndërsa ne i drejtohemi njëri-tjetrit vetëm me fjalë të tilla: ”Ti je ai që e bëre këtë gjëmë të madhe…”.
Kriteret e urdhëresës për mirë dhe ndalesës nga e keqja:
Të kesh dije mbi atë që urdhëron ose ndalon.
Të sillesh me zemërbutësi me ata që urdhëron dhe ndalon.
Të jem shembull për gjërat që urdhëron dhe për ato që ndalon të tjerët.
Urdhëresa për mirë dhe ndalesa e të keqes në familje nuk bëhet, duke i thënë babait ose nënës: “Ju nuk faleni… Duhet të faleni patjetër…” Por sa herë që të hyjë koha e namazit, thuaju:”Unë po shkoj në xhami të falem. A keni ndonjë kërkesë që t’ua plotësoj?”
Tregohet, se gjatë Kalifatit të Ebu Xhafer El-Mensur, një mexhus, që pretendonte se është mysliman, vajti dhe i tha: ”O Prijës i besimtarëve! Për shkak të turmave të shumta rreth Qabes, shpeshherë vjen një erë e rëndë, e cila është e padurueshme për të gjithë. Unë të këshilloj që sipër ndërtesës së Qabes të ndezësh një zjarr me dru temjani (ud). Era do bëjë, që aroma e parfumit të përhapet mes njerëzve, duke e bërë më të lehtë ritin e tavafit.
Duke u nisur nga qëllimi i mirë, Halifeja urdhëroi që diçka e tillë të bëhej. Në fakt, tavafi rreth zjarrit dhe adhurimi i tij është diçka, që ka të bëjë me besimin e mexhusëve zjarrputistë.
Kjo ndodhi, i kishte rënë në vesh dijetarit të njohur Jezid ibnu Nekkash. Me ta marrë vesh, i urdhëron nxënësit e tij, që të hapin fjalës e ai do të shkojë në Haxh këtë vit.
Kur Ebu Xhafer El-Mensur dëgjoi, se ky dijetar do të shkojë në Haxh, u tha këshilltarëve: ”Le të shkojmë dhe ne, që të përfitojmë nga dijet dhe urtësia e tij”.
Ai i dërgoi fjalë dijetarit dhe i kërkoi. që ditën e Kurban Bajramit të jepte mësim në Qabe, pasi do të merrte pjesë vetë Halifeja.
Ditën e caktuar ishin grumbulluar shumë njerëz dhe haxhillarë rreth këtij dijetari, mes tyre dhe vetë Halifeja mysliman.
Dijetari iu drejtua njërit nga nxënësit e tij më të afërt dhe i tha: ”Sa të filloj unë, ti ngrihu dhe fillo të lëvdosh Halifen. Gjatë lëvdatave, përmend dhe faktin që mbi Qabe, ai ka ndezur zjarr me temjan”.
Pas pak, dijetari filloi mësimin dhe siç kishin rënë dakord, nxënësi u ngrit në këmbë dhe e ndërpreu. Ai filloi ta lëvdojë Halifen për arritjet dhe suksesin e tij dhe ndër të tjera përmendi ndezjen e zjarrit mbi Qabe, për të përhapur aromën e temjanit.
Në çast dijetari e ndërpret dhe i thotë: ”Hesht o i pacipë! Mos je më i ditur se Prijësi i besimtarëve?! Ai e njeh librin e Zotit dhe traditën profetike më mirë se ç’e njohim unë dhe ti. Si guxon të thuash, se Prijësi i besimtarëve paska ndezur zjarr mbi Qabe, që myslimanët të sillen rrotull tij siç bëjnë mexhusët?!”
Kur i dëgjoi këto fjalë, Halifeja iu drejtua njërit prej shërbëtorëve të tij dhe i tha: ”Shko shpejt, fike zjarrin dhe hiqi temjanët mbi Qabe!” Kështu dijetari i nderuar e mbylli këtë çështje, pa akuza dhe fyerje.
Vendosmëria në bujari dhe zemërgjerësi
Kjo arrihet duke qenë bujar dhe duke e mbajtur atë të fshehtë.
Tregohet që në Kufa, për dyzet vite me radhë, fukarenjtë e qytetit gjenin çdo mëngjes para derës së shtëpisë ushqimin e një dite. Asnjë prej tyre nuk e dinte, kush ua dërgonte ushqimin. Që ditën kur vdiq Zejnul Abidin, ushqimi mungonte para derës së shtëpisë. Kështu ata kuptuan, që ishte ai, që ua vendoste ushqimin para portës. Kur e zhveshën për ta larë, panë që supet e tij ishte plot vija të zeza, të cilat ishin shenjat e litarit, me të cilin mbarte ushqimet.
Bujaria më e mirë dhe e dobishme, është ajo e përhapjes së dijeve dhe njohurive, është kur i urti përhap urtësinë, kur babai i kushton kujdes edukimit të fëmijëve, kur gruaja kthehet në gropë thithëse për çdo konflikt dhe zemëratë.
Si ta nxisim vullnetin tek fëmijët tanë?
Duke u folur sa më shumë mbi modele të ndershëm dhe njerëz të shquar. Tregoju vajzave jetëshkrimin e Aishes, Esmasë etj…
Tregoju djemve jetëshkrimin e Abdullah ibnu Zubejrit, kur ishte i vogël dhe gjatë rinisë. Tregojua ndodhinë e tij me Umer ibnul Hattabin, ku të gjithë shokët e tij u larguan të frikësuar me ta parë Umerin, kurse ai jo. Kur Umeri e pyeti përse nuk iku, ai i tha: ”Rruga nuk është e ngushtë, që të të bëj vend të kalosh dhe nuk kam bërë asgjë të keqe që të të frikësohem”.
Krenaria dhe fisnikëria i përket Zotit, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve… /ardhmeriaonline