Vendoset gurthemeli i sallës së edukatës fizike në shkollën “Ali Ajeti” në Podujevë

Të premten në Sveçël të Podujevës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Sallës së Edukatës Fizike në shkollën “Ali Ajeti”.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Sipas komunikatës ky projekt është bashkëfinancim i Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal dhe Komunës së Podujevës.

“Në hapësirën prej gjithsej 719 m2, përfshihen fusha sportive e cila ka 578 m2 si dhe ambiente përcjellëse me 141 m2. Vlera e përgjithshme e projektit është 373,787 euro – prej të cilave 273 mijë euro investim i komunës, ndërkaq 100 mijë investim nga ana e MAPL-së”, thuhet në komunikatë.

Kurti gjithashtu ka vizituar edhe çerdhen e rinovuar e cila gjendet në oborrin e shkollës “Ali Ajeti”, e që dikur siç thuhet në komunikatë ishte objekti i shkollës së vjetër ku kishte ndjekur mësimet vetë heroi Ali Ajeti.

Po ashtu Kurti, Nagavci dhe Bulliqi, kanë marrë pjesë edhe në vendosjen e gurthemelit të shkollës së mesme profesionale në Podujevë, projekt ky që siç thuhet në komunikatë ka vlerën prej 2.43 milionë euro.

Kryeministri Kurti ka përgëzuar vendosjen këtij gurthemeli dhe ka thënë se në bazë të kontratës punë kryesi është zotuar që për 14 muaj do t’i përmbyllë këto punime.

Ndërsa, kryetari i Podujevës, Shpejtimi Bulliqi, ka thënë se ky është njëri prej projekteve më të rëndësishme për komunën, për faktin se sipas tij jo vetëm se po bëhet një shkollë e parë e kompetencës në këtë komunë, por po ashtu po krijohet një hapësirë e re, duke liruar hapësirat tjera që do të vihen në shërbim të nivelit fillor.