Edhe pse është krijuar përpara 400 vjetësh, lagjja historike e Chawkbazar, në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, vazhdon të mbetet po aq popullore.
Por, në këtë periudhë, fama e saj mbërrin kulmin, e kjo falë faktit që kjo qendër e rëndësishme biznesi, tejet e njohur edhe për shumëllojshmërinë e ushqimeve tradicionale, shndërrohet praktikisht në vendin kryesor të ushqimeve të Iftarit, vaktit që mbaron agjërimin e përditshëm.
Me mijëra shitës ekspozojnë prodhimet e tyre nëpër rrugë, ku njerëzit presin në radhë për qebap e lloje të ndryshme birjani, një pjatë tejet popullore me bazë orizin.
Shitësit luftojnë mes tyre për hapësirë në një kohë kur mbi rrugicat e ngushta të tregut varen me qindra kabllo elektrike, telefonike dhe internet, çka përbën dhe një rrezik për Chawkbazar, i cili shkurtin e këtij viti u përfshi nga një zjarr masiv që vrau gati 80 vetë.
Delikatesa më popullore e këtij tregu mbetet “boro baper polay khai”, një përzierje qiqrash, mishi të grirë, patatesh, vezësh, mish pule e 13 erëzash. Artikuj të tjerë të famshëm Iftari atje janë kulaçi me mish deleje dhe pule, qoftet e skuqura me thjerrëza dhe të zhytyra në kos, apo pjatat me mish pëllumbi, pa harruar në fund edhe llojet e ndryshme të ëmbëlsirave.
Disa konsumatorë megjithatë vazhdojnë të kenë dyshime për higjienën e këtyre produkteve, edhe pse shitësit pretendojnë se janë mjaft të kujdesshëm në përgatitjen e tyre.