Ballina Lajmet Kosovë Vendi ku arsyetohet dhuna në familje

Vendi ku arsyetohet dhuna në familje

Dhuna në familjet kosovare vazhdon të konsiderohet si “fryt i demokracisë”. Sipas Policisë së Kosovës dhe organizatave që mbrojnë gratë, 385 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje brenda këtij viti, ndërsa dy raste kanë përfunduar me fatalitet: burrat i kanë vrarë gratë.

Femrat kosovare vazhdojnë të mbesin pa mbështetje institucionale, ndërsa për gjithë këto viktima brenda 9 muajve të këtij viti nuk është dënuar asnjë dhunues. Ka shumë gra që e durojnë “dajakun’” dhe nuk e raportojnë

Dhuna në familjet kosovare vazhdon të mbetet e pranishme në të gjitha klasat e shoqërisë, madje në shumë raste edhe të arsyetohet nga rrethi.

Dhuna brenda familjes ka shkuar deri në fatalitet sa që dy burra kanë vrarë gratë për shkak të xhelozisë apo problemeve të tjera sociale.

E në anën tjetër, sistemi i drejtësisë tregohet shumë i brishtë për t’u marrë me këtë çështje e cila ka shqetësuar jo vetëm shoqatat që merren me mbrojtjen e grave, por edhe qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare e cila është e pranishme në Kosovë.

Lexo po ashtu:
Xhaxhai rreh mbesën e mitur në oborr të shkollës (Video)
Xhaxhai rreh mbesën e mitur në oborr të shkollës (Video)
Madje brenda nëntë muajve të këtij viti asnjë qytetar nuk është dënuar për dhunë në familje.

Sipas statistikave që ka siguruar “Zëri”, në të dyja rastet e vrasjes së rëndë në këtë vit, viktima janë femrat.

Po ashtu janë 385 gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje prej 510 rasteve të paraqitura në gjashtëmujorin e vitit 2016.

Ndërsa, në vitin 2015 kanë qenë të raportuara 1179 raste të dhunës në familje, prej tyre në 930 raste kanë qenë viktima gratë.

Këto statistika flasin vetëm për rastet që janë raportuar në Polici, ndërsa shoqatat e grave thonë se ka shumë gra që e “durojnë dajakun” dhe nuk e raportojnë, për arsye që ta mbrojnë familjen.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe njohësit e të drejtave dhe lirive të njeriut shprehen të shqetësuar me rastet e dhunës në familje, prandaj ata kërkojnë nga institucionet e sistemit të drejtësisë që të angazhohen më shumë për zbatimin e ligjit.

Ata gjithashtu thonë se organizimi i fushatave vetëdijesuese do të ndikonte pozitivisht në uljen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Sipas tyre, gjendja e rëndë ekonomike në vend është njëri prej shkaktarëve kryesorë të dhunës, prandaj theksojnë nevojën për zhvillim ekonomik të vendit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se duhet të ketë zbatim më të mirë të ligjit, në mënyrë që të ulet numri i rasteve të dhunës në familje.

“Ligji kundër dhunës, ligji kundër diskriminimit dhe Kodi Penal, megjithatë gjithmonë kanë nevojë për më shumë punë dhe për koordinim më të madh të institucioneve sidomos në rastet në të cilat po dënohen personat të cilët ushtrojnë dhunë, por mandej dënimet nuk po zbatohen si duhet. Mekanizmat institucional duhet të koordinohen më mirë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, ka filluar të ngrihet vetëdija për raportimin e dhunës, prandaj ajo thotë se edhe mbajta e fushatave vetëdijesuese kundër dhunës në familje mund të ndikojnë pozitivisht.

Exit mobile version