Zyrtarët evropianë kanë dënuar vendimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili miratoi ndërtimin e 2.500 banesave në vendbanimet hebreje që ndodhen në territorin e okupuar të Bregut Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i shtetit përgjegjës për Lindjen e Mesme në Ministrinë e Jashtme të Britanisë Tobias Ellwood, në lidhje me çështjen në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka deklaruar se e dënojnë vendimin e qeverisë së Izraelit për të ndërtuar 2.500 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor.
“Qeveria britanike ka qenë prej kohësh në mbrojtje të mendimit se vendbanimet e ndërtuara në territoret palestineze nën okupim janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe përbëjnë pengesë për zgjidhjen me dy shtete. Ne e dënojmë këtë. Britania rikujton sërish mbështetjen për një marrëveshje të paqes të negociuar e cila hap dyert për një Izrael larg terrorit dhe një shtet sovran palestinez ku mund të jetohet”, tha në fjalën e tij Ellwood.