Vendet e bllokut BRICS theksojnë nevojën urgjente për ar’mëpushim në Ga’za

Grupi ekonomik BRICS ka miratuar një deklaratë të përbashkët duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim në Gaza, derisa Izraeli vazhdon ofensivën në enklavën e rrethuar, e cila që nga tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 43 mijë palestineze dhe ka plagosur mbi 100 mijë të tjerë, transmeton Anadolu.

“Ne theksojmë nevojën urgjente për një armëpushim të menjëhershëm gjithëpërfshirës dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve dhe të burgosurve nga të dyja palët që mbahen në mënyrë të paligjshme, si dhe rrjedhën e papenguar, të qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, si dhe dhënien fund të të gjitha veprimeve agresive”, thuhet në deklaratën e përbashkët të samitit në Kazan.

Duke theksuar se vendet e grupit BRICS përsëritën “shqetësimin e tyre të madh” për situatën e përkeqësuar dhe krizën humanitare në territoret e pushtuara palestineze për shkak të operacionit ushtarak të Izraelit, deklarata dënoi sulmet izraelite ndaj “operacioneve humanitare, infrastrukturës, personelit dhe pikave të shpërndarjes”.

Deklarata, e publikuar nga Kremlini, bëri thirrje për zbatimin e plotë të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përshëndeti përpjekjet e Egjiptit dhe Katarit, si dhe përpjekjet e tjera rajonale dhe ndërkombëtare, për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe për të përshpejtuar ndihmën humanitare.

“Ne shprehim gjithashtu alarmin tonë se përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit në Rripin e Gazës rrezikon rritjen e tensioneve, ekstremizmit dhe pasojave jashtëzakonisht të dëmshme në nivel rajonal dhe global”, thuhet gjithashtu në deklaratë, duke u bërë thirrje më tej të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të shmangin “veprime përshkallëzuese dhe deklarata provokuese”.

Më tej, deklarata theksoi masat e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në procedurat e nisura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit.

Po ashtu u theksua se BRICS rikonfirmon mbështetjen e saj për pranimin e Palestinës si një anëtare e plotë e OKB-së “në kontekstin e angazhimit tonë të palëkundur ndaj zgjidhjes me dy shtete, bazuar në të drejtën ndërkombëtare”.

Samiti BRICS përfshin anëtarët e kahmotshëm, Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, burimi i emrit të grupit, së bashku me vendet e anëtarësuara së fundmi, Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, mbërriti sot për të marrë pjesë në samit si i ftuar.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 43 mijë njerëz janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur. Lufta izraelite në Gaza ka zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Për veprimet e tij në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.