Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Vendet arabe ofrojnë 2,5 miliardë dollarë ndihmë për Jordaninë

Vendet arabe ofrojnë 2,5 miliardë dollarë ndihmë për Jordaninë

Në një samit katërpalësh të mbajtur në Mekë nën organizimin e Arabisë Saudite për të kërkuar mënyra për shpëtimin e Jordanisë nga kriza ekonomike, është vendosur vendit t’i ofrohet mbështetje ekonomike prej 2,5 miliardë dollarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi agjencisë zyrtare saudite SPA, në samitin e zhvilluar në rezidencën Es-Safa në Meke morën pjesë mbreti i Arabisë Saudite Selman bin Abdulaziz, emiri i Kuvajtit Esh-Shejh Sabah el-Ahmed el-Xhabir es-Sabah, zv/presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Esh-Shejh Muhammed bin Rashid Al Maktum dhe Mbreti Abdullahu i Dytë i Jordanisë.

Në samitin ku është vendosur për ofrimin e një ndihme prej 2,5 miliardë dollarë për Jordaninë, theksohet se paketa e ndihmës ekonomike në fjalë përfshin siguritë që do t’i jepen Bankës Qendrore të Jordanisë, garancitë që do t’i paraqiten Bankës Botërore në emër të Jordanisë, si dhe financimin e fondeve të zhvillimit për projektet e zhvillimit me një mbështetje vjetore për 5 vite për buxhetin e Jordanisë.

Mbreti Abdullahu i Dytë i Jordanisë ka falënderuar Arabinë Saudite për iniciativën dhe për praninë e Kuvajtit dhe EBA-së, ndërsa ka shprehur falenderimet për paketën ekonomike e cila do të sigurojë kontribut për daljen e vendit të tij nga kriza në të cilën ndodhet.

Rritja e çmimeve në fillim të vitit dhe politikat ekonomike të qeverisë Mulki çuan Jordaninë në probleme, ndërkohë që edhe rritja e lartë e çmimeve në produktet e nevojave themelore tërhoqi reagimin e qytetarëve, të cilar organizuan protesta masive. Si pasojë e protestave, kryeministri Hani el-Mulki dha dorëheqje. Mbreti Abdullahu i Dytë ditën e nesërme mandatin për formimin e qeverisë ia dorëzoi ministrit të Arsimit Omer er-Rezzaz, për të cilin thuhet se do të ballafaqohet me probleme serioze ekonomike.

Exit mobile version