Vendet arabe me ndihma mjekësore dhe humanitare për Libanin

Shtetet arabe i shkuan në ndihmë Libanit, i tronditur nga shpërthimi masiv në kryeqytetin Bejrut, me ndihma mjekësore dhe humanitare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas shpërthimit të ndodhur në Portin e Bejrutit, i cili shkaktoi dëm material dhe humbje jete, shumë vende arabe dërguan ndihma mjekësore dhe humanitare në Liban, veçanërisht edhe spitale fushore.

Sipas agjencisë së lajmeve të Marokut, MAP, pas udhëzimit të Mbretit Muhammed të 6-të, në Bejrut janë dërguar një spital fushor, 100 mjekë prej të cilëve 14 doktorë si dhe furnizime mjekësore dhe humanitare. Ndihmat përbëhen nga maska, dezinfektues, jelekë mjekësorë, materiale ushqimore, çadra dhe batanije, për t’u mbrojtur nga koronavirusi i ri (COVID-19).

– Katar

Katar përveç dy spitaleve fushore që i dërgoi më parë, në Liban dërgoi 4 avionë me ndihma mjekësore dhe humanitare.

– Tunizi

Administrata e Tunizisë në Liban dërgoi dy avionë ushtarakë me ushqim, ilaçe dhe mjete mjekësore.

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, dha udhëzim që 100 të plagosur libanezë të trajtohen në spitalet në Tunizi.

– Egjipt

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, njoftoi se dy avionë ushtarakë janë duke u përgatitur për t’u dërguar në Liban.

Ambasada e Egjiptit në Bejrut njoftoi se ekipet shëndetësore të Egjiptit kanë arritur në vend.

– Emiratet e Bashkuara Arabe

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dërgoi një avion me ndihma humanitare dhe mjekësore prej 30 tonësh në Liban.

– Bahrejn

Mbreti i Bahrejnit, Hamad Bin Isa, premtoi për ndihma urgjente humanitare për vendin e goditur nga shpërthimi.

Gjysmëhëna e Kuqe e Bahrejnit i bëri një donacion prej 50.000 dollarë Gjysmëhënës së Kuqe të Libanit.

– Arabia Saudite

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, udhëzoi që të dërgohet ndihmë humanitare në Liban për shërimin e plagëve të popullit.

Ndihmat, theksohet se, do të dërgohen nëpërmjet Qendrës së Studimeve të Ndihmës dhe Humanitetit Mbreti Salman.