Ballina Lajmet Kosovë Vend i varfër, por me shumë ditë pushimi

Vend i varfër, por me shumë ditë pushimi

Nëse një festë zyrtare në Kosovë i bie ditën e shtunë ose të diel, pushimi bartet të hënën.

Të gjitha institucionet e Kosovës kanë pushuar ditën e hënë, kur vendi shënon Ditën e Kushtetutës si dhe për nderë të Pashkëve Ortodokse, të cilat kanë qenë të dielën.

Madje, Kosova muajin e ardhshëm feston edhe Ditën e Evropës, ditë kjo që është ditë pune për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ligji për festat zyrtare ka gjithsej 11 festa dhe respektohet në tërësi nga institucionet publike, derisa shumë nga bizneset e sektorit privat e kanë ditë pune.

Përfaqësues të sindikatës se punëtorëve dhe komunitetit të biznesit, e konsiderojnë urgjente nevojën e trajtimit të Ligjit për festat zyrtare dhe largimin e traditës që festat që bien në fundjavë, të barten për ditën pasuese të punës.

Duke qenë një nga vendet më të varfra në Evropë, kjo traditë pengon produktivitetin e përgjithshëm të vendit, kurse krijon një barrë më tepër financiare tek sektori privat.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatës se Pavarur të Kosovës,(BSPK) Avni Ajdini thotë se kalendari i festave zyrtare është shumë i ngarkuar, si dhe dallon sektori privat me atë shtetëror.

“Në sektorin privat punëtorët gjithmonë janë humbës. Pasi deri më tani nuk zbatohet as Ligji i punës dhe Kontrata Kolektive, e cila është e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës”, thotë Ajdini.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë ka vite që ka kërkuar reduktimin e numrit të festave dhe mos të ketë lidhje të fesave nga vikendi në ditët e punës.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i madh i festave zyrtare paraqet një problematikë për bizneset në Kosovë, pasi ua pamundëson bizneseve të jenë produktive dhe rritë koston e prodhimit.

“Që nga viti 2013 kemi kërkuar ndryshimin e Ligjit për festat zyrtare, të hiqen disa nga festat zyrtare, siç është 9 maji Dita e Evropës që është një paradoks më vete. Pasi për këtë datë, ditë pushimi nuk kanë as vendet e anëtare të Bashkimit Evropian e jo më në Kosovë, i cili shtet nuk e ka as statusin e kandidatit në BE. Mendoj se ka hapësirë për përmirësime, e sidomos te festat fetare. Kosova është shtet i veçantë në këtë aspekt”, thekson Zeka.

Edhe disa qytetarë, shprehen se duhet të ketë reduktim të ditëve pushim gjatë festave.

Albina Berisha, e cila është pronare e një dyqani në qendër të Prishtinës, thotë se nuk pushon në të gjitha festat që shënohen në Kosovë.

“Unë punoj edhe sot. Mendoj se numri i festave zyrtare është shumë i madh. Numri i madh i këtyre festave dhe lidhja e tyre më ditët e punës na pengon procesin e punës. Madje edhe punëtorët kërkojnë pushim ose pagesë më tepër për këto ditë”, thotë Berisha.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Përveç këtyre festave, në Kosovë sipas Ligjit janë të përcaktuara edhe tetë ditë tjera memoriale. Data 28 nëntor shënohet si Dita e Flamurit të shqiptarëve dhe 12 Qershori – Dita e Paqes, e që për të dy ditët pushohet. Kurse gjashtë festat tjera memoriale i përkasin ditës se komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.

Exit mobile version