Vëllazëria Muslimane (Ihvan) në Egjipt i ka bërë thirrje popullit të Jerusalemit dhe Palestinës për “intifadë të qetë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ihvani refuzon në mënyrë të rreptë vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Udhëheqja e kësaj organizate i fton bijtë e umetit t’i mbështesin muxhahidët që protestojnë në Aksa dhe të ngriten në një intifadë paqësore të premten dhe ditëve më pas, si reagim kundër vendimit të SHBA-ve”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga Vëllazëria Muslimane.
Organizata u ka bërë thirrje shteteve arabe dhe muslimane të mbajnë një samit emergjent, duke kërkuar nga qeveria palestineze të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Izraelin.
Ndryshe, presidenti amerikan Trump të mërkurën deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e tij si kryeqytet.