Kim Jong-Nam është vrarë me një kimikat shumë toksik, të njohur si agjenti nervor VX.
Ky është përfundimi i një raporti paraprak, sipas të cilit, helmi që është i klasifikuar si armë e shkatërrimit në masë nga Kombet e Bashkuara, është pikasur në kampionët e marrë nga sytë dhe fytyra e tij.
Kim, i cili është vëllai nga babai i liderit koreano-verior Kim Jong Un, u sulmua nga dy gra në një aeroport në Kuala Lumpur, më 13 shkurt. Gratë u duk se i hodhën një substancë në fytyrë, ndërsa ai po bënte “chek-in” për një fluturim. Edhe pse Kim Jong Nam kërkoi menjëherë ndihmë nga stafi i aeroportit, ai humbi jetën gjatë rrugës për në spital. Agjenti nervor VX nuk ka shije e as erë dhe është i paligjshëm sipas Konventës së Armëve Kimike, përjashtuar këtu rastet e qëllimeve kërkimore, mjekësore apo farmaceutike.
Ai mund të gjendet në trajtën e lëngut, kremit apo avullit dhe nëse konsumohet në dozë të konsiderueshme mund të vrasë një person brenda 15 minutave. Hetuesit më herët kanë thënë se dy të dyshuarat ishin instruktuar për të larë duart menjëherë pas sulmit. Toksikologët ishin çorientuar paksa për faktin se si agresorët ia kishin dalë mbanë ta helmonin Kim Jong Namin aq shpejt pa u prekur vetë. Por, është bërë e ditur tani se një nga gratë ishte helmuar po ashtu.
Shefi i policisë malajziane kërkon tani të marrë në pyetje një zyrtar të ambasadës koreano-veriore në lidhje me rastin, por është përballur me një bllokadë, pasi ai gëzon imunitet diplomatik.