Veliu kërkon nga KFOR-i që të rifillojë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës në Karaçevë

Pas shqetësimeve të ngritura në media nga qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe letrës publike të kryetarit të Komunës së Kamenicës, në lidhje me hyrjen e forcave të Xhandarmerisë Serbe në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, zhvilloi një takim pune me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Majorin Michele Risi, duke diskutuar edhe çështjen në fjalë.

Sipas kumtesës ministrore, komandanti i KFOR-it e vlerësoi lart takimin, duke u shprehur se takimet e tilla janë mjaft të qëlluar dhe të mirëseardhura.

Ministrit Veliu, ju bë e ditur se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë.

Në ketë takim gjithashtu u tha se, që nga viti 2008, KFOR zhvillon patrullime të përbashkëta dhe të sinkronizuara me Ushtrinë dhe Xhandarmërinë Serbe, përgjatë vijës kufitare.

Në ketë rast, pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i KFOR-it dhe i Forcave te Armatosura të Republikës së Serbisë. Aktivitetet të tilla të sinkronizuara mbahen si me Forcat Serbe ashtu edhe ato të Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave.

Ministri Veliu mirëpriti faktin se në të kaluarën ishin organizuar patrullime të përbashkëta të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që patrullimet e tilla të ri-fillojnë edhe në ketë pjesë të Kosovës.

Nga ana e tij, Gjenerali Risi e mirëpriti iniciativën, duke theksuar se janë të gatshëm t’i asistojnë Policisë së Kosovës dhe të rifillojnë aktivitetet e tilla.

Në fund të takimit u dakorduan që KFOR dhe Policia e Kosovës, të takohen dhe të diskutojnë mbi modalitetet për rifillimin e patrullimeve të përbashkëta e të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare me Serbinë.