Vegjetarianët janë më pak të shëndetshëm se konsumuesit e mishit, ka konkluduar një studim kontrovers, pavarësisht se janë më aktivë se mishngrënësit.
Një studim i bërë nga Universiteti Mjekësor në Graz të Austrisë zbuloi se dieta vegjetariane, për shkak se krakterizohet nga konsumimi i ulët i yndyrnave të pangopura dhe kolesterolit, pasi përbëhet më së shumti me fruta, perime dhe drithëra, mund të jetë shkak për shfaqjen e kancerit, alergjive dhe sëmundjeve mendore si depresioni dhe ankthi.
Studimi përdori të dhëna nga Qendra Kërkimore e Shëndetit në Austri duke ekzaminuar zakonet e të ushqyerit dhe stilit të jetës mes mishngrënësve dhe vegjetarianëve. 1320 subjekte u krahasuan në bazë të moshës së tyre, gjinisë dhe statusit socio-ekonomik ku u përfshinë 330 vegjetarianë, 330 persona që e hanin mishin, por dhe shumë fruta e perime, 330 konsumatorë normal, por që e hanin më pak mishin dhe 330 persona që e konsumonin mishin në sasi të madhe. Doli që vegjetarianët konsumonin më pak alkool dhe kishin indeks më të vogël trupor, por ishin në gjendje të varfër mendore dhe fizike në përgjithësi.
Pjesëmarrësit e tjerë që hanin më pak mish kishin praktika të varfra të shëndetit, si shmangia e vizitave tek doktori për kontrolle apo vaksinime.
Në përfundim të studimit u konkludua: “Rezultatet thonë se, të rriturit austriakë të cilët konsumojnë një dietë vegjetariane janë më pak të shëndetshëm (në termat e kancerit, alegjive dhe çrregullimeve mendore), kanë një cilësi më të ulët të jetës dhe kërkojnë më shumë trajtime mjekësore”.
Pas këtij studimi, pati pretendime se në këtë mes ishte industria e mishit e cila kishte investuar për daljen e këtyre rezultateve. Koordinatorja dhe epidemiologia Nathalie Burkert është shprehur: “Jemi distancuar nga këto pretendime, pasi janë keqinterpretim i të dhënave tona. Ne gjetëm që vegjetarianët vuajnë më shumë nga astma, kanceri dhe sëmundjet mendore se njerëzit që ushqehen rregullisht me mish, por ne nuk mund ta themi me siguri që ky është shkaku dhe këto janë efektet. Duhet të bëhen studime të mëtejshme që t’u japim përgjigje të plota disa pyetjeve”.