Vegime mbi fenë dhe ardhmërinë

Metin Izeti

Roli kryesor i fesë në të gjitha kulturat është të frymëzojë shpresën dhe të mbushë zbrazëtirën ekzistenciale, të zhvillojë besimin në shpëtim dhet ‘i japë një ndjenjë kuptimi jetës. Gjetja e kuptimit në vuajtje mund ta zvogëlojë vuajtjen dhe ta bëjë atë më të durueshme. Feja nuk është vetëm çështje besimi, ajo ka një rol në riinterpretimin e ngjarjeve të pakëndshme dhe ofron më shumë rehati se të gjitha konceptet e tjera. I jep kuptim një situate të sikletshme duke e vendosur atë në një kontekst të caktuar dhe i jep personit një ndjenjë kontrolli. Edhe pse agnostikët dhe ateistët ofrojnë kontroll mbi mjedisin me koncepte të tjera, si p.sh.shkencën, por ama është fakt se ajo nuk plotëson nevojën e njeriut për kuptim, rehati dhe përmbushje në masën që e bën feja.Përshpirtshmëria/fetaria funksionon si një sistem i ruajtjes së identitetit duke mundësuar një urë lidhëse midis identitetit individual dhe atij kolektiv dhe parandalon fragmentimin kur përballemi me problemet.
Disa parashikime se procesi i sekularizimit dhe përparimi teknologjik progresiv do ta largonte fenë nga shoqëria, janë dëshmuar të pasakta. Këtu shohim një lidhje të fortë me shpjegimin e Jaspersit për filozofinë e ekzistencës. Njeriu, pavarësisht gjithçkaje, gjithmonë përfundon pa dhe nen kembe. Që në fillimet e ekzistencës sime dhe tuajën, ekzistenca jonë mbetet pa bazë dhe ka një pikëmbështetje dhe kuptim vetëm dhe ekskluzivisht në të mbinatyrshmen. Ndoshta mund të themi se feja ka vdekur te njeriu modern ose do të shuhet në të ardhmen, por pavarësisht problemeve dhe sfidave të shoqërisë moderne, nevoja për kuptimin e fese si shtytës themelor i ekzistencës sonë nuk është shuar te njeriu. Ndaj, edhe pse duket se në fund të dekadës së dytë të shekullit të 21-të, “homo religiosus” nuk po digjet, megjithatë arrijmë në përfundimin se diku thellë brenda njeriut digjet si prush.
Liria dhe arsyeshmëria shoqërore e njeriut është e mundshme vetëm nëse ekziston mundësia e vërtetë për të zgjedhur. Mundësia që vërtetë të zgjedhet nuk dhurohet, për te duhet të përpiqemi dhe të rritemi. Gjithashtu nevojitet edhe dëshira që zgjedhja të mos bie pre e indiferentizmit dhe oportunizmit, si dy demon mbrojtës të së keqes në përmasën e organizimit shoqëror. Nëse “të mirët” mendojnë se e mira do të vijë vet dhe e stolisur me satanizim të vokabularit ( përdorimit të fjalorit pseudozbukurues ), atëherë thellë mashtrohen dhe e keqja gjithnjë do të sundojë. Të ligët pandërprerë janë në vrap për mbrojtjen e pseudovlerave, nëpërmjet të cilave e ruajnë shëndetin e tyre social.
Nuk kemi të drejtë që në rrugën e arsyes dhe lirisë të jemi në hamendje. Nuk është vlerë që cdo pengesë e vogël të ndryshojë kahjen dhe orientimin tonë. Nuk kemi të drejtë që përkohësisht të distancohemi nga arsyeja dhe liria dhe gjithsesi duhet të jemi në mesin e tyre që janë të aftë dhe të gatshëm të zgjedhin atë që duhet dhe kur duhet, në mesin e tyre që dijnë të konceptojnë interesat dhe kërkesat e veta të vërteta. Të tillët janë të arsyeshëm , janë të orientuar drejtë lirisë, janë të përqëndruar në atë rrugë, gjegjësisht janë të mençur dhe të lirë.
Liria dhe arsyeja si rezultat i psikologjisë së udhëheqjes së turmës janë shndëruar në koncepte që krijojnë etikën e interesit e jo të të solidaritetit struktural. Në rrënjët e kësaj (jo) etike është dobia ekonomike dhe kënaqësia fizike momentale, ndërsa cdo gjë tjetër, ideali, kombi, feja, kultura, arsimi, përjashtohet. Për pasojë u ballafaquam me një individualizëm që kishte kërkesat e veta të lirisë dhe arsyes por pa ndjenjën e përgjegjësisë dhe me moral utilitar. Karakteristika bazë e këtij morali është relativizmi moral ose thënë ndryshe kënaqja e nevojave personale dhe harresa e të mirës së përgjithshme.
Ve ma hadhihi’l-hajatu’d-dunja il-la lehvun ve leibun. Ve inne’d-dare’l-ahirete lehije’l-hajevan. Leu kanu ja’melun/Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin! (Ankebut, 29:64)
Në ajet theksohet se baza e adoptimit të qëndrimit të përmendur nga paganët është pasioni i tyre për botën. Në fakt, kjo është e vërtetë edhe për shumë mohues. Sepse feja është një grup ligjesh. Ka urdhëra dhe ndalesa, dhe këto i kufizojnë dëshirat e njeriut. Në këtë pikë, njeriu përballet me një dilemë. Ata që bëjnë urdhrat e mendjes dhe të ndërgjegjes të dominojnë dëshirat e tyre tokësore, integrojnë vullnetin e tyre me besimet e tyre. Ata gjykojnë se urdhrat dhe ndalesat e fesë janë të arsyeshme, të vlefshme dhe detyra që duhen zbatuar. Nga ana tjetër, ata, dëshirat trupore të të cilëve mbizotërojnë mbi arsyen dhe ndërgjegjen e tyre, i shohin këto urdhërime dhe ndalime si një barrë, ndaj i gjykojnë si të pakuptimta dhe të padobishme dhe në fund të fundit adoptojnë një mendim dhe stil jetese antifetare. Ajeti që është tema jonë tërheq vëmendjen për gabimin e një botëkuptimi siç perceptohet nga këto grupe. Ai paralajmëron se një botë e jetuar me këtë kuptim përbëhet vetëm nga kënaqësitë dhe lakmitë e zakonshme, të përkohshme. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme për një person është të shpëtojë jetën reale në “shtëpinë e përtejme” dhe të punojë për lumturinë dhe mirëqenien atje. Nëse njeriu e kufizon qëllimin e tij në kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote dhe i përkushtohet “veprave të mira të përjetshme” (El-Kehf 18/46), ai jo vetëm që do të punojë për jetën e përtejme, por edhe do ta bëjë botën e tij kuptimplote. Tani ky person pyet veten: “Kush i krijoi qiellin dhe tokën?” Kur pyetet, ai jo vetëm thotë “Është Allahu” në të njëjtën kohë, ai e sheh Allahun si autoritetin e vetëm dhe absolut në të gjitha çështjet e tij lidhur me fenë dhe botën, dhe vetëm Atij i shërben dhe i bindet. Ai jeton një jetë në përputhje me vullnetin hyjnor, e cila nuk mund të konsiderohet kurrë e gabuar apo mashtruese. Pret prej Tij bukuritë e kësaj bote dhe të ahiretit (Bekare 2/201). Më në fund, përderisa jeton me këtë besim dhe sinqeritet, do t’i arrijë të dyja bukuritë.
Islami ngerthen një grup rregullash strikte. Por kjo nuk do të thotë se ai është ngurte, siç e bëjnë qarqe te caktuara sot. Përkundrazi, Islami është i ndritshëm dhe plote hare. Sidomos islami i gjallë e i përditshëm. Lidhja e çështjes se “shpirtërores dhe urtesise” me rreptësinë e rregullave është diçka krejtësisht tjetër. Është çështje kufijsh, e cila nuk është as rreptësisht çështje feje, por me shpesh ceshtje kulture. Njerëzit jo vetëm që nuk mund të funksionojnë pa kufij, por në mënyrë të pandërgjegjshme dëshirojnë kufij. Një botë pa kufij është një botë e shkretëtirës. Nga ana tjetër, kufijtë e tepërt paralizojnë lëvizjen. Islami, siç e kuptoj unë, është një botë me kufij të balancuar.
Per fat te keq, perballemi me një potencial kritik të reduktuar te muslimanët, ku edhe kritikat apo edhe vëzhgimet më të zakonshme perceptohen si “të ashpra”. Çështja e marrëdhënies ndërmjet muslimanëve dhe lirisë është një temë më vete: si ka mundësi që muslimanët, të cilët në mënyrë deklamale i shërbejnë vetëm Zotit, janë bërë kaq të palirë dhe kaq frikacakë të shëmtuar. Dhe me “paaftësinë e muslimanëve për të kapërcyer gardhet e botës së tyre” nënkuptoj se muslimanët, ashtu si besimtarët e traditave të tjera, shpesh nuk janë në gjendje t’i përkthejnë vlerat universale të traditave të tyre në një gjuhë universale. Ky është shkaku i keqkuptimeve të shumta.
Kur bëhet fjalë për dukshmërinë e traditës myslimane të shqiptareve, sigurisht që nuk është mjaft e dukshme. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, falë rrethanave historike dhe gjeopolitike, ne kemi pasur një mundësi të madhe për ta bërë traditën tonë të dukshme globalisht. Ne nuk e bëmë atë. Për më tepër, ne promovuam në mënyrë aktive traditat e njerëzve të tjerë në dëm të tonës. Per shembull, ne nuk kemi menduar per te shtjelluar nje teme shume aktuale, jo vetem per muslimanet por edhe per Evropen, Islami dhe Evropa në përvojën e shqiptareve, qëllimi i të cilit do te ishte t’i prezantojë Evropës, madje edhe botës, autenticitetin tonë. Tradita muslimane shqiptare mund te lshte një projekt i madh kërkimor-shkencor, në të cilin do te marrin pjesë etnologë, historianë arti, punëtorë të ndryshëm të kulturës etj., me të cilin do të prezantojmë në mënyrë integrale publikun më të gjerë, si në Evropën Perëndimore ashtu edhe në rajon, në formën e ekspozitave përkatëse. Një muze virtual dhe një faqe interneti duhet planifikuar si një depo përfaqësuese e teksteve për traditën tonë. Është fakt se publiku kulturor dhe politik evropian nuk e njeh mjaftueshëm kulturën islame te shqiptareve, per fat te keq edhe ne nuk e njohim.
Makiavelizmi i konceptuar si sekularizêm ne kampin e laikëve si dhe jezidizmi i kuptuar si konservatorizêm ne hapesiren shoqêrore- politike tek ne, nê kuadêr të perceptimit tê shkencave shoqerore- politike , ose i njohur ndryshe si “arti i politikës”, qê për fat tê keq ekskluzivisht manifestohet si “pushtim-mashtrim-pritë-komplot…” është një nga burimet e rëndësishme të problemeve tona dhe si “mëkati ynë themelor”.
Çka më tutje…?
Qytetërimi i bazuar në shfrytëzim/kolonizim dhe reaksion ka bërë që njerëzit të largohen nga vetja. Fatkeqësisht, vlerat morale të atyre që përdorin fuqinë e ofruar nga teknologjia kanë rënë. Mbështetja më e madhe që bota të jetë një vend ku të gjitha gjallesat mund të jetojnë në harmoni mund të merret nga feja. Feja dhe dija e vërtetë janë dy dukuritë më me ndikim në të ardhmen e njerëzimit. Të kesh informacion të saktë rreth fesë është jashtëzakonisht e rëndësishme që njerëzit të jetojnë në paqe. Pasojat e erozionit në fushën e vlerave i drejtojnë njerëzit në kërkim të fesë dhe vlerave fetare. Qëllimi i fesë hyjnore është të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të njerëzimit.
Për të kuptuar një temë, është e nevojshme të dini se si të mendoni saktë. Të gjithë mendojnë se kanë të drejtë. Megjithatë, njerëzit kanë paragjykime dhe interesa. Frika, dashuria, varësia, pandjeshmëria pengojnë të menduarit korrekt. Duhet të heqim qafe ideologjinë dhe presionet dhe të kuptojmë kontradiktat. Përndryshe, personi do të debatojë dhe të flasë pa ditur apo pa pasur asnjë provë dhe do të mendojë se vetëm ajo që thotë është e vërtetë.
Njeriu është një qenie e kufizuar dhe mendja e tij vepron me të dhënat që i vijnë. Meqenëse është e mundur që të dhënat të jenë të gabuara dhe personi të jetë gjithashtu i gabuar, personi duhet të jetë i hapur ndaj kritikave. Islami dëshiron që njerëzit të jenë të ndershëm. Kjo është e mundur me vetëkritikë. Për këtë arsye njeriu ka nevojë të paralajmërohet dhe Pejgamberi a.s.është “paralajmërues që paralajmëron me shpallje”.
Intelektualët sekular, per fat te keq, ende nuk mund të shohin se feja është – të paktën – një realitet shoqëror, të kuptuarit se të jesh intelektual do të thotë të mbash distancë nga feja është koncept qe i takon shekullit te 19. Si rrjedhoje, hapesira mbushet me “intelektual sekular” qe shkelin mbi parimet e sociologjise sekulare, duke anashkaluar fenomenin e fese dhe “intelektual religjioz” qe nuk e kuptojne gjallerine dhe perfshirjen e fese ne shoqeri.
Njeriu duhet, domosdoshmerisht, të bëjë paqe me vlerat e tij. Duhet të krijojë një kulturë demokracie ekzistenciale. Duhet ta bëjë kuptimin e tij të sekularizmit dhe fetaresise të papajtueshëm me kulturën dhe vlerat e amdhueshme njerezore. Diçka si “krijimi i një qytetërimi të ri”. Pra, duhet të vendoset një qëllim. Nuk duhet të ketë vonesa në tranzicionin në shoqërinë e te njerezishmes. Mendoj se kjo duhet të marrë një pozicion aktiv në të ardhmen e njerëzimit.
Feja është vlere në rritje në botë. Ajo ekziston për t’u dhënë njerëzve mundësinë për të menduar drejt, për t’i mësuar ata të jenë korrekt dhe për të treguar parimet dhe vlerat universale të të jetuarit njerëzor. Feja ontologjikisht përbëhet nga besimi, adhurimi dhe morali. Në fusha të tjera mund të diskutohet ndikimi i fesë përmes parimeve themelore. Identifikimi i fushave si ligji, politika dhe ekonomia me fenë do të thotë shkatërrim i funksionalitetit të fesë.
Njerezimi ka hyrë në një periudhë ndryshimesh serioze. Muslimanet, duke mos u mbyllur ne kopertinat e te kaluares, duhet te angazhohet ne botën e re, pasi dhimbjet e saj prekin të gjithë shoqërinë. Muslimanet, tani duhet të përcaktojnë qëllimin e fese për “krijimin e një qytetërimi të ri” dhe të perpiqen te gjejne zgjidhje per problemet e fesë, demokracisë dhe sekularizmit.
Pretendimi se feja pengon progresin i shqetëson shumë muslimanet dhe ndërsa ata perpiqen të vënë në dukje gabimin e kësaj, ata nuk mund t’i shpëtojne idealizimit të së shkuarës. Marrëdhënia ndërmjet fesë dhe përparimit kërkon që të merresh me mendim progresiv, ndersa kjo derë eshte e mbyllur për injorantët, nuk ka asnjë pengesë për mendjendriturit. Arsyeja e prapambetjes nuk eshte në Islam, por në përtacinë dhe imitimin e verber. Krahas kritikes ndaj imitimit perëndimor, gjithashtu duhet kritikuar edhe imitimi i së kaluarës nën maskën e fesë. Mendoj se ka kaluar koha e reakcionit dhe kemi nevoje jetike per akcion me mendje te ndritur.
Muslimanet jane në fazën e rimendimit dhe ristrukturimit të Islamit, që është procesi më i rëndësishëm në kuptimin e tyre të fesë. Tendenca është drejt iluminizmit total në fushën e fesë. Përvoja 14 shekullore mund të nxirret në dritë nga njëra anë dhe të diskutohet nga ana tjetër. Fusha e fesë nuk është një tabu dhe kërkimi shkencor mund të kryhet pa frikën e braktisjes së fesë. Njerëzit mund të shkruajnë dhe shprehin opinionet dhe mendimet e tyre pa frikë se mos shpallen jobesimtarë. Kjo do të sigurojë që e kaluara të kuptohet saktë dhe që një njohuri e pasur t’i prezantohet së ardhmes, për zbatim.
Pas erozionit në fushën e vlerave në fund të shekullit të 20-të, filloi një kthesë drejt vlerave fetare dhe feja u bë një vlerë në rritje në të gjithë botën. Baza e tensionit laik-fetar, që është një nga problemet në axhendën e muslimaneve, është hendeku serioz i njohurive në fushën e fesë. Njerëzit janë lidhur me zinxhirë me realitetin virtual, si ata në shpellën e Platonit, dhe njerëzit mund të çlirohen nga kjo robëri vetëm duke thyer zinxhirët e tyre duke u ndërgjegjësuar për veten përmes edukimit. Nuk ka gjasa që arsimi ta arrijë këtë pa fe. Feja, së bashku me të menduarit korrekt, e lehtëson arritjen e qëllimeve të arsimit dhe edukimi mund të arrijë cilësinë e tij të “mirë” vetëm përmes fesë.
Njerëzimi është sërish në telashe me problemet e krijuara nga njerëzit. Bota jonë është bërë një depo armësh gati për të shpërthyer. Ekziston edhe një “ndotje njerëzore” në jetën shoqërore. Asnjë problem nuk është i pazgjidhshëm, por duhet vullneti për ta zgjidhur atë. Bota duhet të zgjidhë problemet e saj që lidhen me fenë, demokracinë dhe sekularizmin. Feja ka qenë një problem social për dy shekuj, sepse intelektualët nuk mund ta shohin fenë të paktën si një realitet shoqëror. Edhe shtetet krijojne një hendek serioz informacioni me politika të gabuara. Disa nga njerëzit fetarë tregojnë habinë e tyre nga hapësira e jashtme, pasi janë te mbyllur ne burgun e tyre personal. Ata që duan të sulmojnë Islamin identifikojnë negativitetet e individeve dhe grupeve me Islamin. Ndersa, fetarët e ndjejnë nevojën për të mbrojtur, madje edhe perversitetet në emër të fesë, duke thënë se deklaratat e jofetareve janë konspiracion. Si pasoje, feja qe ofron zgjidhje, nga vete njerezit fetare dhe jofetare, eshte shnderruar ne problem qe kerkon zgjidhje. Për të parandaluar që feja të jetë problem, është e nevojshme të parandalohet përdorimi i saj nga njerëz keqdashësnga te dyja anet.
Të gjitha formacionet e natyrës fetare që u shfaqën pas vdekjes së Pejgamberit të fundit që mori shpalljen nga Zoti janë mënyra për të kuptuar fenë. Identifikimi i këtyre formacioneve krejtësisht njerëzore me Islamin është në kundërshtim si me universalitetin e Islamit ashtu edhe me realitetin njerëzor. Meqenëse dera e shpalljes është mbyllur, nuk është e mundur që dikush në Islam të pretendojë se ka njohuri të veçanta që vijnë nga Zoti, saktësia e së cilës nuk mund të kontestohet. Myslimanët kanë mundësinë ta kuptojnë dhe ta jetojnë Islamin në mënyrën më të mirë në çdo kohë dhe vend.
Nuk është e mundur të kuptohen dhe vlerësohen fetë pa vetëdije dhe njohuri historike. E kaluara dhe historia janë ontologjikisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Pikëpamja e gabuar e historisë ose e shenjtëron të kaluarën ose e injoron atë. Në të dyja rastet njeriu bëhet i burgosur i historisë.
Ka probleme serioze në perceptimin e historisë. Këto e bëjnë të vështirë të kuptosh se e kaluara dhe historia, historia dhe feja, dhe feja dhe tradita janë të ndara nga njëra-tjetra. Duke punuar prapa historisë, çdo formacion ka një kuptim të ndryshëm të periudhës së hershme. Secili prej tyre dëshmon të drejtën e tij ndaj periudhes se Pejgamberit. Madje përpiqet ta vërtetojë atë me një lidhje me periudhën e Pejgamberit për të kritikuar tjetrin. Ndërgjegjësimi historik do të thotë të vëresh ndryshimin midis së kaluarës dhe të tashmes dhe të mendosh për historinë pa e harruar atë. Kur kjo nuk ndodh, e kaluara mund të jetohet në të tashmen ose e tashmja përpiqet të jetojë në të kaluarën. Fakti që e kaluara përcakton të tashmen dhe madje të ardhmen tonë do të thotë të jetojmë në të kaluarën dhe te mos mund te mendojme per te ardhmen.
Globalizimi, siç u pa, ishte përhapja e kulturës popullore amerikane në mbarë botën nën emrin Rendi i Ri Botëror. Sipas atyre që e shikojnë nga një këndvështrim fetar, kjo do të thotë të lëmë gjithçka fetare në histori. Ndërsa globalizimi zgjeron hegjemoninë perëndimore, ai në mënyrë paradoksale prodhon gjithashtu një ngushtim të horizonteve dhe mendjeve. Globalizimi, i cili fillimisht do t’i shërbejë interesave të Amerikës, herët a vonë do të çojë në fundin e Amerikës nëse imazhi i jashtëm nuk përputhet me realitetin.
Globalizimi çon në universalizimin e lokales dhe lokalizimin e universales, gjë që e bën të nevojshme kërkimin e standardeve universale në të gjitha fushat e jetës. Me globalizimin, problemet nuk janë më lokale dhe është bërë e qartë se terrorizmi dhe dhuna, armiqtë kryesorë të mjedisit të besimit, i cili është parakusht për të jetuarit njerëzor, kanë marrë një dimension global dhe po godasin ata që i mbështesin. Ky proces mbart me vete edhe një zgjim global. Thirrjet e njerëzve që janë zëri i arsyes së shëndoshë mund të dëgjohen në të gjithë botën.
Ndërsa njohuritë e akumuluara dhe zhvillimet teknologjike janë emocionuese, njerëzimi është në prag të krijimit të një qytetërimi të ri. Parandalimi i rënies së njerëzimit në një konflikt qytetërimesh varet nga njohuritë shkencore dhe nga kontrolli dhe përdorimi i fuqisë që ofron për të mirën e njerëzimit, me fjalë të tjera, një kuptim i ri i fesë që do të frenojë ambiciet njerëzore, është në paqe me shkencën, dhe nuk bie ndesh me natyrën dhe arsyen. Një person nuk mund të jetojë pa “vlera dhe norma të sjelljes”. Nevoja për fe, që buron nga qenia e tij shoqërore, rritet paralelisht me nivelin e zhvillimit njerëzor.
Për të fituar një vend të nderuar në kërkimin e një qytetërimi të ri, muslimanët duhet të rishikojnë kuptimin e tyre për fenë. Për këtë, është e nevojshme ta shikojmë Kuranin dhe traditen konstituive pejgamberike nga këndvështrimi që ata dëshirojne dhe të nxjerrim në plan të parë arsyen dhe qasjen kritike, me një qëndrim mbiformacional.
Ashtu si kërkimi i shkencave natyrore është shkencor, edhe “shkencat teologjike”, të cilat janë një nëngrup i shkencave njerëzore, janë gjithashtu shkencore. Nuk mund të arrish askund duke injoruar njërën prej tyre. Kërkimi i njerëzimit për kuptimin e ka sjellë përsëri në pikën e “kërkimit të fesë”. Feja që mund t’i përgjigjet më së miri këtij kërkimi është Islami. Arritja e kësaj varet nga largimi i “frikës së apostazisë”, leximi i së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes me një qasje kritike, të menduarit lirshëm me një kuptim të përqendruar në Kur’an dhe traditen konstituive pejgamberike, krijimit të ideve të shëndetshme dhe arritjes së shoqërisë në një nivel njohurish që jane te jetueshme.
Si përfundim…
Duke qenë i bindur se qytetërimi i ri duhet të prodhohet nga muslimanët dhe të bazohet në zbulesën hyjnore, është jashtëzakonisht e rëndësishme, si për botën ashtu edhe për luftën e muslimanëve për ekzistencë në këtë pikë të kërkimit të botës për paqen dhe qetësinë, që muslimanët të fillojnë të vetëdijësohen realisht për këtë çështje. Krijimi i një qytetërimi të ri mund të arrihet nga një koncept fetar dhe shoqëror që nuk ka përjetuar devijim esencial të idesë dhe për këtë arsye mund të shfaqë një qasje jo reaktive, dhe e vetmja shoqëri në botë me këto cilësi është shoqëria muslimane. Unë jam i vetëdishëm se nuk ka ende një mjedis që mund të prodhojë këtë qytetërim të ri në botën e sotme muslimane dhe se ka shumë fusha që duhen rishikuar, nga ndërgjegjësimi historik e deri te përkufizimi i fesë, por është fakt se bota ka filluar transformimin në drejtim të një informacioni serioz fetar. Edhe pse me keqardhje them se është humbur shumë kohë për të ecur përpara në këtë rrugë dhe nuk janë shfrytëzuar mundësitë, zbulesa hyjnore ka zënë vend në qarqet botërore dhe megjithëse ekziston mundësia që të jetë i shtyrë nga aksidentet, herët a vonë ky proces do të japë frytet e tij. Është fakt se tashmë zjarri i atyre që ishin larg nga feja është shuar pak dhe fetarët shpresëdhënës vazhdojnë me prodhimin e ideve të mirëfillta për ardhmërinë e njerëzimit si koncept etik. Nevoja për “krijim të një qytetërimi të ri” i cili do të bazohet në të vërtetat reale të natyrës njerëzore, i cila do të jetë me këmbë konstante në tokë, ndërsa me kokë në katër anët e ekzistencës, ngjashëm si kompasi, është e pashmangshme dhe këtë mundësi njerëzimit mund t’ia jep vetëm Islami.

Metin Izeti