Tre migrantë kanë vdekur duke tentuar ta kalojnë Kanalin Anglez me një varkë të vogël të dielën në mëngjes, ka njoftuar roja bregdetare franceze, raporton “BBC”.
Migrantët përfunduan në ujë ndërsa tentuan të hipnin në një varkë në afërsi të bregdetit të Sangattes, afër Calaisit, rreth orës 6 të mëngjesit me kohë lokale.
Tre persona vdiqën, ndërsa trupat e tyre u nxorën nga uji me ndihmën e helikopterit, ndërsa 45 tjerë u trajtuan, shumica prej tyre me probleme me hipotermi. Katër u dërguan në spital.
Ka qenë viti më fatal sa i përket kalimeve të Kanalit.
Mbi 36 mijë persona kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla këtë vit, ndërsa Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka thënë se 77 persona kanë vdekur duke tentuar ta bëjnë këtë.
“Kurrë nuk ndalet”, ka thënë kryebashkiaku i Sangattes, Guy Allemand, për “AFP”. “Është kalim pas kalimi”.
Ai tha se shtatë migrantë kanë pasur nevojë për kujdes intensiv. Roja bregdetare ka thënë se po vazhdojnë kërkimet për ndonjë të mbijetuar tjerë.