Vdes nga COVID-19 krimineli i luftës Momçillo Krajishnik

Në Qendrën Klinike Universitare të Republikës Sërpska në Banja Llukë, si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), sot në mëngjes ka vdekur Momçillo Krajishnik, raporton Anadolu Agency (AA).

Krajishnik me aktvendim të plotfuqishëm të Tribunalit të Hagës në mars të vitit 2009 u shpall përgjegjës për deportimin, zhvendosjen e dhunshme dhe krimet mbi boshnjakët dhe kroatët civilë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) në periudhën nga muaji prill deri në dhjetor të vitit 1992. Ai është shpallur fajtor edhe sepse ishte pjesë e ndërhyrjes së përbashkët kriminale, që kishte për qëllim pastrimin e territoreve që gjatë luftës ishin nën kontroll të serbëve boshnjakë.

Në aktvendimin e Tribunalit, mes tjerash, theksohet se Partia e atëhershme Demokratike Serbe (PDS) nga fundi i tetorit të vitit 1992 themeloi kuvend ushtarak të serbëve boshnjakë, në krye të së cilës ishte Krajishnik. Ky kuvend menjëherë filloi me themelimin e strukturave paralele të pushtetit, ndërsa më 12 maj formoi edhe ushtri.

Në korrik të vitit 1990 Momçillo Krajishnik ishte në mesin e themeluesve të Partisë Demokratike Serbe (PDS), lideri i së cilës ishte Radovan Karaxhiq.

Krajishnik ishte pjesëmarrës në negociatat paqësore për BeH në qytetin amerikan Dejton në vitin 1995, ndërsa më vonë Richard Holbruk, emisari special amerikan për Ballkanin, e quajti Krajishnik “zotëri JO”, meqë ishte i pakompromistë gjatë negociatave.

Në zgjedhjet e para pasluftës në Bosnjë e Hercegovinë, në vitin 1996, Krajishnik u zgjodh anëtar i Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit serb. Në këtë post qëndroi deri në vitin 1998.

Ai u arrestua në Pale në prill të vitit 2000 dhe u dërgua në paraburgim në Tribunalin e Hagës. Ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, e quajti arrestimin e tij “ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme”, ndërsa ish-emisari amerikan për Ballkanin e quajti “një nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në Ballkan” pas luftës.

Pas vuajtjes së 13 vite burg për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, Krajishnik u kthye në shtëpi në Pale, në entitetin e Republikës Sërspka, në BeH. Ndonëse u dënua me 20 vite burg, kryetari i Tribunalit, Teodor Meron, në fillim të korrikut të vitit 2013 mori vendim për lirimin e përkohshëm të tij pasi vuajti dy të tretat e dënimit me burg.

Krajishnik kaloi nëntë vite nga dënimi në Tribunalin e Hagës, por katër vite e gjysmë i kaloi në burgun në Britani të Madhe.