Nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve mjeku që para disa ditësh, duke dashur ta shpëtojë jetën e tjetrit u aksidentua.
Një aksident i rëndë trafiku kishte ndodhur më 30 qershor ku u përfshinë një veturë civile dhe një autoambulancë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Ditë më parë ka humbur jetën edhe shoferi i autoambulancës së QMF-së në Gjakovë, Skofiar Gjini.
Mentor Salihi, i cili ishte brenda autoambulancës që u aksidentua më 30 qershor në Gjakovë ka ndërruar jetë gjatë së martës.
Oda e Mjekëve të Kosovës e ka konfirmuar vdekjen e tij përmes një postimi në Facebook.
“Detyra e mjekut si shpëtimtar jete, bëri që Dr. Salihi të ishte në autoambulancën që u aksidentua ditë më parë në Gjakovë”.
Ndërkohë, edhe Policia për rajonin e Gjakovës ka njoftuar për vdekjen e tij.
“Sot rreth orës 19:00 policia është njoftuar se njëri nga të lënduarit në aksident trafiku që ka ndodhur me datë 30.06.2022 në rrugën ‘Pashko Vasa’ në Gjakovë, viktima mashkull/kosovar lindur në vitin 1989 ka ndërruar jetë”.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve të Salihit dhe Skofiar Gjinit.
“Ata, do të kujtohen si profesionistë që i shërbyen me përkushtim jetës së qytetarëve deri në momentin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta”, thuhet në mesazhin e Latifit