Andreas Brehme, shënues i golit të fitores për Gjermaninë në Botërorin e vitit 1990, ka vdekur në moshën 63-vjeçare, kanë njoftuar mediumet gjermane të martën.
Brehme, i cili luante në krahun e majtë të mbrojtjes, pati shënuar nga penalltia në minutën e 85-të për fitoren 1:0 të Gjermanisë kundër Argjentinës në finalen e luajtur në Romë.
Ai ka regjistruar 86 paraqitje me Gjermaninë, ndërsa ka fituar titullin e kampionit të Bundesligës me Kaiserslauternin e Bayernin, si dhe titullin e kampionit në Serie A me Interin.
“Bayerni është shumë i mërzitur nga vdekja e papritur e Andreas Brehmes. U shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve. Andreas Brehme do të jetë përherë në zemrat tona, si fitues i Kupës së Botës dhe më e rëndësishmja, si person i veçantë. Ai do të jetë gjithmonë pjesë e familjes së Bayernit. Pusho në paqe, Andi”, ka shkruar Bayerni në mesazhin e tij.