Ilustruesi ishte prapa vizatimeve të Profetit Muhamed që ndezi zemërim në të gjithë botën muslimane.
Artisti danez Kurt Westergaard, famëkeq për vizatimin e karikatures së Profetit Muhamed e që shkaktoi zemërim në të gjithë botën muslimane, ka vdekur në moshën 86 vjeç.
Westergaard vdiq në gjumë pas një sëmundjeje të gjatë, i tha familja e tij të dielën gazetës daneze Berlingske.
Ilustruesi ishte prapa 12 vizatimeve të botuara nga gazeta e përditshme konservatore Jyllands-Posten nën titullin “Fytyra e Muhamedit”, njëra prej të cilave ndezi zemërim të veçantë pasi paraqiste Profetin Muhamed duke mbajtur një çallmë në formën e një bombe.
Profeti Muhamed është i nderuar nga muslimanët dhe çdo lloj përshkrimi vizual është i ndaluar në Islam.
Karikaturat kaluan pothuajse pa u vërejtur fillimisht, por pas dy javësh, një demonstratë kundër tyre u mbajt në Kopenhagë dhe më pas ambasadorët nga vendet muslimane në Danimarkë filluan një protestë.
Zemërimi u përshkallëzua më pas në protesta anti-daneze në të gjithë botën muslimane në Shkurt të 2006. Disa nga demonstratat u bënë të dhunshme. Ambasadat daneze dhe norvegjeze u sulmuan dhe dhjetëra njerëz vdiqën.
Ngjarjet çuan në debat rreth Islamofobisë dhe kufijve të lirisë së shprehjes dhe fesë në Danimarkë dhe më gjerë.
Në vitin 2015, 12 njerëz u vranë në një sulm ndaj së përjavshmes satirike Charlie Hebdo në Paris, e cila kishte ribotuar karikaturat në 2012.
Westergaard kishte punuar në Jyllands-Posten që nga mesi i viteve 1980 si ilustrues dhe sipas Berlingske vizatimi në fjalë ishte shtypur një herë më parë por pa shkaktuar shumë polemika.
Gjatë viteve të fundit të jetës së tij Westergaard, ashtu si një numër i të tjerëve të lidhur me karikaturat, u desh të jetonte nën mbrojtjen e policisë në një adresë të fshehtë.
Në fillim të vitit 2010, policia daneze kapi një 28-vjeçar të armatosur me thikë në shtëpinë e Westergaard, ku ai po planifikonte ta vriste. /mesazhi.com