Agjencia e migracionit e Kombeve të Bashkuara IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin), u kërkon shteteve evropiane të ndërmarrin hapa urgjentë për të ulur vdekjet në rrugët detare drejt Evropës.
Të paktën 1,146 njerëz vdiqën duke u përpjekur të mbërrinin në Evropë përmes detit në gjashtë muajt e parë të 2021, dyfish më shumë gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar, tha të mërkurën IOM.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, IOM tha se 513 migrantë dihet se janë mbytur duke u përpjekur të bëjnë kalimin.
“IOM përsërit thirrjen e shteteve për të ndërmarrë hapa urgjentë dhe me përgjegjësi për të zvogëluar humbjen e jetëve në rrugët e migrimit detar drejt Evropës dhe për të mbështetur detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar,” tha drejtori i përgjithshëm i organizatës, António Vitorino.
“Rritja e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit, krijimi i mekanizmave të parashikueshëm të zbarkimit dhe sigurimi i aksesit në rrugët e migrimit të sigurt dhe të ligjshëm janë hapat kryesorë drejt arritjes së këtij qëllimi.”
Njerëzit që përpiqen të kalojnë në Evropë përmes Mesdheut u rritën me 58 përqind midis janarit dhe qershorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2020.
Organizatat joqeveritare në kontakt të drejtpërdrejtë me ata në bord, ose me familjet, kanë raportuar qindra raste të mbytjeve të pavëna re të anijeve.
Raste të tilla, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u verifikuar, tregojnë se vdekjet në rrugët detare për në Evropë mund të jenë shumë më të larta se të dhënat në dispozicion. /mesazhi.com